“Po të kisha një dëshirë, do të ishte që t’i pyesnit lojtarët e mi për kundërshtarët dhe për futbollin,” deklaroi trajneri i kombëtares franceze, Didier Deshamp, pas publikimit të listës së lojtarëve për Kupën e Botës. “E kuptoj që ndonjëherë ndiheni të detyruar të bëni pyetje të tjera, por ata nuk janë aty për t’iu përgjigjur atyre.”
Në prag të turneut të fundit të tij si trajner i Francës, Deshamp është përballur vazhdimisht me pyetje që lidhen me politikën dhe çështje të tjera jashtë futbollit. Ai ka kërkuar të mbrojë lojtarët nga presioni mediatik, duke theksuar njëkohësisht se skuadra nuk është e shkëputur nga realiteti politik dhe shoqëror.
“Situata gjeopolitike është komplekse, por kjo nuk do të thotë se është një temë tabu. Flasim për gjithçka, si mes lojtarëve, ashtu edhe mes nesh,” tha trajneri 57-vjeçar.
Deshamp u pyet edhe për komentet e kapitenit të Francës, Kylian Mbappé, i cili në një intervistë për revistën "Vanity Fair" kritikoi sërish të djathtën ekstreme franceze. Sulmuesi i Realit të Madridit përsëriti qëndrimin e tij kundër partisë Tubimi Kombëtar (Rassemblement National) të Marine Le Pen, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
“E di çfarë do të thotë dhe çfarë pasojash mund të ketë për vendin tim kur njerëz të tillë vijnë në pushtet,” deklaroi Mbape.
Deshamp mbrojti të drejtën e sulmuesit për të shprehur publikisht mendimet e tij.
“Liria e shprehjes vlen për të gjithë, edhe për lojtarët e mi. Nuk do t’u them kurrë të mos flasin. Ata e dinë se ka tema të ndjeshme, por janë qytetarë dhe kanë të drejtë të kenë një qëndrim,” tha ai. Megjithatë, trajneri shtoi se vetë nuk do të komentojë kurrë mbi këto çështje politike.
“Ajo që më intereson është Kilian si njeri dhe si futbollist. Por ai është edhe qytetar dhe ka të drejtë të ndikohet nga zhvillimet që ndodhin. Çfarëdo që të bëjë, do të kritikohet, qoftë nëse flet apo nëse hesht. Unë do ta gjykoj vetëm për atë që bën në fushë,” shtoi Deshamp.
Mbape është pjesë e një tradite të gjatë të futbollistëve francezë që kanë kundërshtuar publikisht të djathtën ekstreme. Në vitin 2002, Zinedin Zidan u bëri thirrje votuesve të refuzonin Jean-Marie Le Pen në balotazhin presidencial, duke argumentuar se politika e tij nuk përputhej me vlerat e Francës. Edhe Lilian Turam ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj së djathtës ekstreme, veçanërisht për sulmet ndaj përbërjes multietnike të kombëtares franceze.
Ky angazhim u rikthye në qendër të vëmendjes edhe gjatë "EURO 2024", kur zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Francë u zhvilluan paralelisht me turneun. Markus Turam, djali i Lilian Thuram, u bëri thirrje qytetarëve të “luftojnë çdo ditë” kundër së djathtës ekstreme. Disa ditë më vonë, Mbappé deklaroi se ndante të njëjtin shqetësim dhe paralajmëroi kundër votimit për “ekstremet”, të cilat sipas tij ndodheshin “në prag të pushtetit”.
Në fund, partia e Marine Le Pen përfundoi në vendin e tretë në raundin vendimtar të zgjedhjeve parlamentare, pas koalicionit të majtë dhe aleatëve të presidentit Emmanuel Macron. Disa futbollistë francezë e festuan rezultatin në rrjetet sociale.
Megjithatë, komentet e fundit të Mbape kanë shkaktuar reagime të ndryshme në futbollin francez. Ish-bashkëlojtari i tij te Paris Saint-Germain, Presnel Kimpembe, deklaroi për radion "RTL" se politika nuk është fusha e tij, duke shtuar se secili ka të drejtë të mendojë dhe të shprehet sipas bindjeve të veta.
Nga ana tjetër, disa figura të futbollit kanë argumentuar se deklaratat politike mund të krijojnë tensione të panevojshme para një turneu të madh. Ish-kampioni i botës Kristof Dugarri i cilësoi komentet e Mbape si të guximshme, por paralajmëroi se ato mund të sjellin pasoja për atmosferën brenda kombëtares.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe legjenda franceze Michel Platini. Në një intervistë për "RTL", ai tha se kapiteni i Francës duhet të ruajë neutralitetin politik.
“Ti luan për të gjithë francezët. Në momentin që mban anë, humbet mbështetjen e gjysmës së njerëzve,” deklaroi Platini.
Deri tani, Mbape nuk ka treguar shenja se do të ndryshojë qasjen e tij.
Megjithëse ky turne nuk përkon me zgjedhje kombëtare në Francë, fushata presidenciale e vitit të ardhshëm po afron dhe sondazhet e deritanishme e rendisin Jordan Bardella, kandidatin e pritshëm të Tubimit Kombëtar, si favorit për të pasuar Emmanuel Macron.
Pavarësisht dëshirës së Deshamp për ta mbajtur fokusin te futbolli, kombëtarja franceze pritet të vazhdojë të përballet me pyetje politike, si për zhvillimet në Francë, ashtu edhe për temat që lidhen me Shtetet e Bashkuara, ku skuadra ka vendosur bazën e saj gjatë turneut. Në këtë kontekst, çdo deklaratë e Mbape do të vazhdojë të ndiqet me vëmendje, jo vetëm për paraqitjet e tij në fushë, por edhe për qëndrimet e tij jashtë saj./"The Guardian", përshtati në shqip, Pamfleti
Lini një Përgjigje