TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Qershor 2026, 15:44

Rekord i Kupës së Botës, Kampionati Botëror 2026 më i ndoturi në histori

Shkruar nga Pamfleti
Rekord i Kupës së Botës, Kampionati Botëror 2026 më i
stadiumi i Kupës së Botës

Kupa e Botës që po zhvillohet në Amerikën e Veriut ka vendosur një rekord të pazakontë edhe para përfundimit të turneut. Sipas një studimi të publikuar nga kompania e specializuar në teknologjitë klimatike, “Greenly”, ky Botëror pritet të jetë më i ndoturi në historinë e kompeticionit.

Vlerësimet tregojnë se emetimet totale të dioksidit të karbonit (CO₂) mund të arrijnë në rreth 7.8 milionë tonë, një shifër që është afërsisht 2.1 herë më e lartë se ajo e raportuar zyrtarisht gjatë Botërorit të Katarit në vitin 2022.

Megjithatë, ndryshimi kryesor nuk lidhet vetëm me sasinë e emetimeve, por edhe me burimin e tyre. Në Katar 2022, një pjesë e konsiderueshme e ndotjes u shkaktua nga ndërtimi i infrastrukturës sportive, pasi shteti organizator ndërtoi shtatë stadiume të reja për turneun.

Ndryshe nga ai edicion, Botërori aktual zhvillohet kryesisht në stadiume ekzistuese, çka bën që infrastruktura të përfaqësojë vetëm rreth 3 për qind të emetimeve totale të parashikuara.

Pjesa më e madhe e gjurmës së karbonit lidhet me transportin. Sipas studimit, rreth 87 për qind e emetimeve do të vijnë nga udhëtimet e tifozëve dhe delegacioneve. Organizimi i ndeshjeve në vende të ndryshme të Amerikës së Veriut, si dhe distancat e mëdha mes qyteteve pritëse, pritet të rrisin ndjeshëm përdorimin e transportit ajror dhe atij rrugor.

Ekspertët vlerësojnë se pikërisht këto lëvizje masive të spektatorëve nga e gjithë bota e bëjnë këtë edicion më të rëndë për mjedisin, pavarësisht faktit se nuk janë ndërtuar stadiume të reja.

Nëse këto projeksione konfirmohen, Botërori në Amerikën e Veriut do të hyjë në histori jo vetëm për spektaklin sportiv, por edhe si eventi me ndikimin më të madh mjedisor që është organizuar ndonjëherë në kuadër të Kupës së Botës.

kupa e botës kampionati botëror më i ndotu

Lini një Përgjigje