
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i cili drejtoi Komisionin Hetimor për të dhënat e TIMS, prezantoi sot në Kuvend gjetjet e komisionit për gati katër muaj.
Ai deklaroi se PS-ja u bë pengesë për të mbrojtur paligjshmërinë e ndodhur me sistemin TIMS. Ai argumentoi konkluzionin e tij duke shtuar se, Këshilli i Ministrave refuzoi të vinte në dispozicion informacionet e kërkuara, anëtarët e mazhorancës refuzuan të sillnin si dëshmitar kryeministrin Edi Rama dhe Bledi Çuçin, si kërkuan që dëshmitë të merren me dyer të mbyllura.
Ai shtoi se emërimi i Ervin Muçës u interpretua si lapsus, por në fakt sipas tij, procesi i rekrutimit ishte fiktive dhe fituesi ishte i paracaktuar.
“Komisioni do të shtrinte veprimtarinë për një afat 4 muaj. Për shkak se nuk e kishte ushtruar të plotë veprimtarinë e tij, për shkak të gjetjeve që pati, grupi parlamentar i PD-së, si nismëtar, kërkuan shtesë për të vazhduar gjetjet. Komisioni mblodhi dokumentet dhe provat e bashkë me dëshmitë, sot do ta paraqesim të plotë.
PS u bë barrikadë për të mbrojtur paligjshmërinë e ndodhur. Këshilli i Ministrave refuzoi të vinte në dispozicion informacionet e kërkuara, anëtarët refuzuan të sillnin si dëshmitar kryeministrin Edi Rama, si person që kishte dijeni. Anëtarët e mazhorancës refuzuan të thërrisnin Bledi Çuçin, që kishte pasur një rol të rëndësishëm, anëtarët e mazhorancës vendosën që dëshmitë të merren me dyer të mbyllura, megjithëse dëshmitë nuk përmbanin informacione të klasifikuara si sekret shtetëror. Gjatë hetimit, është verifikuar çdo pretendim që kemi bërë në kërkesën fillestare.
Data e emërimit të Ervin Muçës u interpretua si lapsus nga ana e Policisë. Është e qartë që procesi i rekrutimit ishte fiktive dhe fituesi ishte i paracaktuar. Nuk e di si mund të justifikohet që në një institucion si Policia, kush ka fuqinë të bëjë emërime dhe të vendosë drejtor dikë pa pasur asnjë dokument shkresor”, tha Salianji në Kuvend.
Salianji zbuloi se ish-drejtuesi i departamentit të IT, Ervin Muça ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike të pretenduara nga hakerët iranianë. Ai shtoi se si rezultat i këtyre dy sulmeve çdo e dhënë në sistemin TIMS nga krijimi i tij deri në shtator 2022 gjenden në një kanal online dhe janë të aksesueshme nga ata që kanë interes, nga krimi i organizuar te shtetet jomiqësore.
Salianji tregoi më tej se Muça ka dëshmuar për raste të tjera të prekjes së të dhënave edhe në Policinë e Shtetit. Ai ka zbuluar se këto sulme kibernetike janë justifikuar nga drejtues të Ministrisë së Brendshme si vepra të hakerëve iranianë, por sipas Ervin Muçës dhe gjetjeve të komisionit hetimor kjo nuk është e vërtetë.
“Ervin Muça na ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike. Sulmi I parë u mbajt I fshehtë pa kryer hetim apo masa që solli edhe sulmi ne dytë të pretenduar nga hakerat iranianë. Si rezultat I këtyre sulmeve çdo e dhënë në sistemin TIMS nga krijimi I tij deri në shtator 2022 gjenden në një kanal online që na është thënë konkretisht. Këto të dhëna janë të aksesueshme nga ata që kanë interes nga krimi I organizuar te shtetet jomiqësore që në këmbim të një shume monetare sot çdo e dhënë mund të shitet e blihet lehtësisht.
Ai ka deklaruar se ka pasur raste të tjera kur të dhënat janë prekur. Justifikimi më i përdorur nga drejtuesit e ministrisë së brendshme ka qenë se sulmet janë kryer nga iranianët. Kjo nuk ishte e vërtetë sipas tij dhe hetimit të komisionit parlamentar. Kjo vërtetohet nga një memo e vitit 2021 ku ish-drejtuesja e departamentit IT konfirmon se disa kompjuterë të drejtuesve administrativë janë hakeruar dhe kjo ngjarje u fsheh. Këto sulme janë kryer edhe në sistemet e policisë së shtetit, të cilat arritën të prekin çdo pikë fundore sepse personat që e kishin për detyrë jo vetëm që nuk kanë bërë izolime por kanë bashkëpunuar me hakerët e sistemit sipas deklarimeve të zotit Muça”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje