Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar në lagjen “8 Shkurti” në Fier, ku një 47-vjeçar u gjet i pajetë në një banesë ku kishte hyrë për të vjedhur.
Policia e Fierit ka identifikuar viktimën si Ilir Zarka 47-vjeç. Sipas njoftimit zyrtar, ai u gjet pa shenja jete në dritaren e banesës, në momentin kur kishte tentuar të hynte brenda.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Hetuesit dyshojnë se 47-vjeçari ka ndërruar jetë nga asfiksia, pasi ka mbetur i bllokuar në dritare gjatë tentativës për të hyrë në banesë.
"Në lagjen “8 Shkurti”, Fier, është gjetur pa shenja jete, në dritaren e një banese, shtetasi I. Z., 47 vjeç.
Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia, gjatë tentativës për t’u futur në banesë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit", thuhet në njoftimin e policisë.
Banesa është në pronësi të Uan Lules, i cili prej një muaji ndodhet në Greqi pranë fëmijëve të tij. Sipas vëllait të tij, Nikollaq Lule, një fqinj që kujdesej për shtëpinë e ka konstatuar trupin dhe ka njoftuar policinë. Ai tha se në momentin që u gjet, viktima ishte i maskuar me kapuç dhe doreza.
“Vëllai ka ikur ka një muaj në Greqi tek fëmijët. Para dy ditësh isha këtu, kontrollova nuk kishte gjë. Kalon një komshi që vjen çdo ditë për të ushqyer qenin. Kishte gjetur një person këtu në dritare, me vrap kishte lajmëruar policinë, lajmëroi edhe vëllanë. Erdha këtu, policia bëri verifikimet. Fillimisht kishte thyer xhamin aty, s’kishte gjeturi gjë, ka ardhur te dritarja e shtëpisë, ka tentuar të futet aty, ka ngecur gjysmë trupi, as nuk dilte asgjë. Në mëngjes, komshiu erdhi dhe e gjeti të vdekur”, tha vëllai i pronarit të banesës.
Lini një Përgjigje