Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e djeshme qytetin e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Gjashtës, në Sarandë dhe viktimë ka mbetur pronar i një pike karburanti në zonë, 66-vjeçar, i identifikuar si Rexhep Ismaili.
Ismaili mësohet se është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë një plumb në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima mendohet se ndodhej në ambientet e biznesit të tij në momentin e atentatit.
Përveç Rexhep Ismailit, i cili u vra, edhe një person tjetër mbeti i plagosur, por që nuk është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të krimit, shtetasin Lulzim Tabaku, i cili pasi kreu vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me disa persona të tjerë, duke përfshirë këtu edhe atë që mbeti i plagosur.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Shoqata ‘Çamëria’, pasi vitima ishte edhe kryetari i saj. Në një postim në rrjetet sociale, shoqata ka dënuar ngjarjen dhe kërkon zbardhjen e saj të menjëhershme.
Gjithashtu, nënvizon kontributin e 66-vjeçarit si “zë i palëkundur” dhe “mbrojtës i pashoq” për çështjen çame.
"Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të z. Rexhep Ismaili, Kryetar i Shoqatës 'Çamëria' Sarandë. Ai ishte një zë i palëkundur dhe mbrojtës i pashoq i çështjes çame që prej fillimeve të demokracisë. Shoqata 'Çamëria' dega Vlorë dënon këtë vrasje të rëndë dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe bashkëpunëtorëve. I paharruar qoftë kujtimi i tij!", shkruhet në postim.
Si ndodhi ngjarja?
Rexhep Ismaili ka qenë në tavolinë me disa persona të tjerë në momentin kur autori i dyshuar, Lulzim Tabaku, ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Pas të shtënave, personat që ndodheshin në tavolinë me viktimën dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë zjarri.
Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i krimit bashkë me personat e tjerë të përfshirë dhe me të plagosurin.
Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit dhe të zonës përreth, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Policia po ushtron gjithashtu kontrolle në spitalet rajonale dhe klinikat private për lokalizimin e personit të plagosur, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
Lini një Përgjigje