Policia: Konflikti nisi me sende të forta dhe përfundoi me armë, një i plagosur ende në arrati
Policia ka zbardhur detaje të reja nga atentati me armë zjarri i ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Gjashtë, në dalje të qytetit të Sarandës, ku mbeti i vrarë biznesmeni Rexhep Ismaili, 66 vjeç.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:30, në lokalin e karburantit “Vëllezërit Ismaili sh.p.k”, në pronësi të viktimës. Sipas informacioneve paraprake, Ismaili ka qenë i ulur në tavolinë me persona të tjerë, kur autori i armatosur ka hyrë në lokal dhe ka hapur zjarr në drejtim të tij, duke e goditur me një plumb në kokë.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se personat që ndodheshin me 66-vjeçarin i janë kundërpërgjigjur autorit, por ky i fundit ka arritur të largohet menjëherë pas krimit.
Në njoftimin zyrtar, policia sqaron se konflikti fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit. Nga hetimet e para dyshohet se autor i vrasjes është shtetasi Lulëzim Tabaku i cili pas ngjarjes është larguar së bashku me persona të tjerë të përfshirë në konflikt.
Gjithashtu, policia dyshon se gjatë përplasjes me armë ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur në spital dhe nuk është identifikuar.
Forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në spitale e klinika private për identifikimin e të plagosurit të dyshuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa lajmi mbetet në zhvillim.
Lini një Përgjigje