TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Maj 2026, 21:44

Ndërronte makinat dhe kufizonte telefonatat, si policia italiane ra në gjurmët e Kol Bushpepës duke ndjekur gruan e tij

Shkruar nga Pamfleti
Ndërronte makinat dhe kufizonte telefonatat, si policia italiane ra në
Sokol Bushpepa

Kol Bushpepa, i dënuar për trafik droge dhe organizatë kriminale në Itali, u arrestua në kryeqytetin shqiptar pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe policisë së Venecias. Hetuesit zbuluan vendndodhjen e tij duke ndjekur udhëtimet e bashkëshortes.

Mediat italiane kanë zbuluar detaje nga arrestimi pak ditë më parë i Kol Bushpepës alias Sokol Bushpepa, i dënuar për trafik droge dhe organizatë kriminale në Itali.

Arrestimi i tij u bë në kryeqytetin shqiptar pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe hetuesve të skuadrës mobile të Venecias, të cilët prej vitesh e kishin në kërkim ndërkombëtar përmes një mandati të Interpol-it.

Sipas mediave italiane, Bushpepa kishte arritur të zhdukte gjurmët që prej vitit 2022, menjëherë pasi ndaj tij u dha vendimi i formës së prerë me 5 vite, 3 muaj e 10 ditë burg për “organizatë kriminale” dhe “trafik droge”.

Por ajo që çoi hetuesit deri tek ai nuk ishte një gabim i madh apo një komunikim i interceptuar, por lëvizjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij drejt Shqipërisë.

Hetuesit italianë të drejtuar nga shefi i skuadrës mobile të Venecias, Eugenio Masino, kishin vite që monitoronin kontaktet familjare dhe rrjetin e personave të afërt me Bushpepën. Ata u fokusuan veçanërisht te udhëtimet e gruas së tij, e cila në mënyrë të përsëritur udhëtonte drejt Shqipërisë.

Sipas hetimeve, çdo udhëtim organizohej me kujdes ekstrem. Mjetet ndryshoheshin vazhdimisht, itineraret nuk ishin kurrë të njëjta dhe komunikimet telefonike shmangeshin pothuajse totalisht.

Megjithatë, pikërisht kjo skemë e sofistikuar lëvizjesh ngriti dyshimet e policisë italiane se Bushpepa fshihej në Tiranë.

“Mjaftoi të ndiqnim gjurmët e gruas së tij për të arritur tek ai”, shkruajnë mediat italiane, duke përshkruar operacionin që çoi në arrestimin e shqiptarit.

Pasi identifikuan zonën ku ai qëndronte, autoritetet italiane kërkuan ndërhyrjen e policisë shqiptare, e cila realizoi arrestimin dhe i dha fund arratisë shumëvjeçare.

Kol Bushpepa konsiderohet një emër i njohur për autoritetet italiane të antidrogës, ndërsa aktiviteti i tij kriminal në Itali daton prej më shumë se 15 vitesh.

Emri i tij doli për herë të parë në dosjet e policisë së Venecias në vitin 2009, kur ai ishte 27 vjeç dhe dyshohej si pjesë e një grupi italo-shqiptar të përfshirë në trafikun e drogës.

Në atë kohë jetonte në zonën Cannaregio të Venecias dhe punonte në një pub, ndërsa kishte edhe precedentë të mëparshëm për shpërndarje droge.

Por rasti që e bëri të njohur për autoritetet italiane ishte një operacion i madh antidrogë në maj të vitit 2012, kur policia sekuestroi 229 kilogramë marijuanë mes Mestre dhe Martellago, bashkë me kokainë dhe një armë Zastava me numër serie të fshirë.

Sipas hetimeve, droga mund t’u kishte sjellë organizatorëve deri në 2 milionë euro fitime.

Në atë kohë Bushpepa ishte 30 vjeç dhe banonte në Scorzé.

Megjithatë, sipas policisë italiane, roli i tij ndryshoi ndjeshëm në vitet pasuese. Në vitin 2021 ai konsiderohej tashmë si një prej figurave kyçe të një organizate kriminale që sillte sasi të mëdha kokaine në zonën e Venecias.

Hetuesit italianë thonë se grupi ishte i strukturuar dhe arrinte të trafikonte mbi dy kilogramë kokainë në muaj, me një qarkullim financiar që vlerësohej rreth 1 milion euro.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij në Mestre, policia gjeti 70 mijë euro cash, ndërsa pjesa tjetër e fitimeve dyshohet se ishte investuar në struktura akomoduese dhe biznese të tipit “bed and breakfast”.

Për të shmangur përgjimet, anëtarët e grupit ndryshonin vazhdimisht telefonat dhe kartat SIM, shpesh të regjistruara në emra personash të tjerë.

Më 28 janar 2022, Bushpepa u dënua përfundimisht me mbi 5 vite burg, por në momentin kur duhej të niste vuajtjen e dënimit, ai u zhduk pa lënë gjurmë.

Që prej asaj kohe ai konsiderohej në arrati ndërkombëtare.

Mediat italiane raportojnë se Bushpepa kishte ndërtuar një rrjet të besuar personash rreth vetes dhe përdorte masa të forta sigurie për të mos u lokalizuar, por lëvizjet e përsëritura të bashkëshortes drejt Shqipërisë rezultuan vendimtare për hetimin.

Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi arrestimin, ndërsa pritet që ndaj Bushpepës të nisë procedura për ekstradimin drejt Italisë, ku do të duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit. /Pamfleti

kol bushpepa itali

Lini një Përgjigje