TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Maj 2026, 17:26

Akuzohen për korrupsion, GJKKO kalon për gjykim ish-kreun e Prokurorisë së Sarandës, avokatin dhe dy biznesmenët!

Shkruar nga Pamfleti
Akuzohen për korrupsion, GJKKO kalon për gjykim ish-kreun e
Kledian Llaho

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, avokatit Çlirim Shahini, si dhe biznesmenëve Vasil Bakalli dhe Pando Papuçi.

Të katërt akuzohen për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ish-prokurori Kledian Llaho dyshohet se ka shfrytëzuar funksionin e tij për të favorizuar persona nën hetim në këmbim të përfitimeve financiare.

SPAK bën me dije se një shtetas me inicialet M.A., i cili ishte nën hetim për veprën penale “shpërdorim detyre” në Prokurorinë e Sarandës, kishte detyrime financiare ndaj vjehrrit të Llahos lidhur me një investim në hoteleri.

Sipas organit të akuzës, Llaho i ka kërkuar këtij shtetasi që shumën prej 1.8 milionë lekësh t’ia kthente vjehrrit të tij përmes biznesmenit Vasil Bakalli, duke i premtuar lehtësim të pozitës procedurale në hetim.

Në dosje përmendet edhe biznesmeni Pando Papuçi, i cili sipas SPAK dyshohet se ka dhënë 30 mijë euro ryshfet për Kledian Llahon dhe Vasil Bakallin, me qëllim ndikimin tek prokurorja që kishte në shqyrtim çështjen e tij.

Po ashtu, hetimet pretendojnë se Papuçi i ka dhënë edhe 25 mijë euro avokatit Çlirim Shahini, pasi ky i fundit i kishte premtuar ndikim tek gjyqtarja e çështjes.

SPAK deklaron se akuzat janë mbështetur në prova të siguruara përmes veprimeve hetimore dhe metodave speciale të hetimit.

Në seancën paraprake të zhvilluar më 6 maj, gjyqtarja Engjëllushe Tahiri vendosi kalimin e çështjes për gjykim nga një trupë gjykuese me tre anëtarë.

Ndërkohë, një prej të pandehurve, biznesmeni Pando Papuçi, ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

kledian llaho gjkko dosja

Lini një Përgjigje