Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 1 vit burg avokaten Erida Lazimi, e akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Lazimi ka përfituar uljen e një të tretës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 muaj burg.
Megjithatë, GJKKO ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe zëvendësimin e tij me 16 muaj shërbim prove.
Sipas njoftimit të SPAK, procedimi penal ndaj avokates është ndarë nga një hetim më i gjerë i regjistruar në fund të vitit 2024, ku po hetohen edhe vepra të tjera penale, si korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë, trafikimi i narkotikëve dhe pastrimi i produkteve të veprës penale.
Nga hetimet ka rezultuar se çështja lidhet me një procedim penal të vitit 2020 në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, ku po shqyrtohej kërkesa për dërgimin në gjyq të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për “Mosdeklarim në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”.
Sipas SPAK, Astrit Vladi i ka kërkuar avokates Erida Lazimi të ndikonte te gjyqtari i seancës paraprake me qëllim favorizimin e të pandehurve.
“E pandehura Erida Lazimi i ka premtuar dhe i ka siguruar të pandehurit Astrit Vladi aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, kundrejt përfitimit të parregullt në formë monetare”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Lini një Përgjigje