Vrasja e mafiozit grek George Moschouris, mes të arrestuarve edhe dy shqiptarë
Një operacion i gjerë i autoriteteve greke ka çuar në arrestimin e katër personave të dyshuar si pjesë e organizatës kriminale që organizoi ekzekutimin mafioz të George Moschouris, një prej emrave më të njohur të të ashtuquajturës “Greek Mafia”, i njohur në botën e krimit me nofkën “Thaçnakia”.
Mes të arrestuarve janë dy shtetas me origjinë shqiptare, të cilët sipas hetuesve grekë kishin rol kyç në organizimin logjistik të atentatit të ndodhur më 24 prill 2025 jashtë një klinike private në zonën e Halandrit, në Athinë.
Dy personat e tjerë të arrestuar janë shtetas grekë, njëri prej të cilëve ndodhet tashmë në burg për një çështje tjetër kriminale. Sipas mediave greke, grupi nuk akuzohet vetëm për vrasjen e Moschouris, por edhe për një seri aktesh të tjera të rënda kriminale, që lidhen me shpërthime me eksploziv, përgjime të paligjshme, ndjekje objektivash dhe armëmbajtje.
Hetimet e Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Greqi kanë zbuluar se grupi kishte marrë përsipër të gjithë organizimin e atentatit mafioz: sigurimin e armëve, automjeteve, lëvizjen e ekzekutorëve dhe largimin e tyre nga Greqia menjëherë pas krimit.
Sipas autoriteteve, ekzekutorët ishin rusofilë dhe kishin hyrë në Greqi vetëm për të kryer atentatin, për t’u larguar po atë ditë. Dyshohet se atentati ishte urdhëruar nga “Edik”, i konsideruar lider i mafies rusofone dhe një prej figurave më të fuqishme të kontrabandës së cigareve në rajon, i cili besohet se vepron nga Dubai.
Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Giannis Lala, një figurë e njohur e botës së krimit në Greqi, i vrarë më vonë në Arahova. Sipas hetuesve, Lala kishte bashkëpunuar më herët me Moschouris, por më pas kishte kaluar në anën e grupit të “Edik”, me të cilin dyshohet se organizoi eliminimin e ish-aleatit të tij.
Autoritetet greke besojnë se motivi kryesor i përplasjes ishte kontrolli i kontrabandës së cigareve, një treg multimilionësh që prej vitesh dominohet nga mafia rusofone. Sipas hetuesve, Moschouris kishte hyrë kohët e fundit në këtë aktivitet, duke sfiduar interesat e grupit kriminal.
Policia greke thotë se mënyra e atentatit tradhtoi menjëherë origjinën e ekzekutorëve. Sulmi u konsiderua tipik për mafian rusofone dhe grupet ukrainase: brutal, i ftohtë dhe pa asnjë shqetësim për viktima të mundshme anësore.
Hetuesit lidhin këtë atentat me një seri ekzekutimesh të mëparshme në botën e krimit grek, përfshirë vrasjet e Zambounis, Roubetis, Mouzakitis dhe Skaftouros, të gjitha të atribuuara të njëjtës organizatë kriminale.
Në përgjimet e siguruara nga policia greke, anëtarë të organizatës së “Edik” shpreheshin hapur për nevojën që “Thaçnakia” të eliminohej, bashkë me figurën e fundit historike të “Greek Mafia” që ndodhet ende në burg.
Një tjetër detaj tronditës i hetimeve lidhet me survejimin e avokates së një prej figurave kryesore të mafias greke. Sipas policisë, anëtarët e grupit kishin vendosur GPS në automjetin e saj dhe kamera pranë banesës, duke planifikuar një atentat gjatë ndonjë lejeje të mundshme të klientit të saj nga burgu.
Në dosje përfshihet edhe një shpërthim me eksploziv në një kompani automjetesh në Nea Erythraia në gusht të vitit 2024. Pronari i kompanisë kishte bashkëpunim me Moschouris dhe prej aty viktima kishte marrë edhe automjetin e blinduar që ndodhej jashtë klinikës ditën e atentatit.
Sipas policisë, grupi kishte vepruar të paktën që prej korrikut të vitit 2024 si organizatë e strukturuar kriminale, me aktivitet të vazhdueshëm në atentate, shpërthime dhe survejim objektivash.
Nga kontrollet në banesa dhe ambiente të përdorura si strehë të organizatës, policia greke sekuestroi mbi 13 mijë euro cash, telefona celularë, më shumë se 500 gramë kanabis, GPS, kamera survejimi, pajisje për kopjim frekuencash, routera interneti, fishekë, thika dhe substanca anabolike.
Sipas hetimeve, një prej shqiptarëve të arrestuar kishte rolin e transportimit të ekzekutorëve drejt pikës ku ishin parkuar automjetet e përdorura në atentat. Një tjetër i arrestuar kishte rol operacional dhe koordinonte lëvizjet e atentatorëve gjatë përgatitjes, ekzekutimit dhe arratisjes.
Ndërkohë, dy autorët që qëlluan me kallashnikov ndaj Moschouris mbeten ende në kërkim.
Atentati ndodhi më 24 prill 2025 në një nga rrugët kryesore të Halandrit. Dy persona të veshur me të zeza i zunë pritë 55-vjeçarit sapo ai doli nga klinika private dhe po shkonte drejt automjetit të tij. Viktima u qëllua nga pas me breshëri kallashnikovi dhe mbeti i vdekur në trotuar.
Pak minuta më vonë, policia gjeti të djegur automjetin e përdorur nga atentatorët në zonën Patima të Halandrit. Mjeti rezultoi i vjedhur dhe pronarja nuk kishte arritur ende të deklaronte grabitjen.
Mediat greke raportojnë se autoritetet kishin parandaluar disa tentativa të mëparshme për eliminimin e Moschouris, madje një prej planeve parashikonte ekzekutimin e tij pranë një pishine ku shkonte fëmija i tij. Pas dështimit të disa planeve, viktima besohet se kishte ulur vigjilencën.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e plotë të rrjetit kriminal, ndërsa pista kryesore mbetet lufta e përgjakshme mes mafias greke tradicionale dhe organizatave rusofone që kërkojnë kontroll absolut mbi kontrabandën e cigareve dhe aktivitetet kriminale në Greqi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje