Policia e Shtetit ka arrestuar Sokol Bushpepën, 45 vjeç, i dënuar në Itali me mbi 5 vite burg si pjesëtar i një organizate kriminale dhe për trafik të lëndëve narkotike.
Sipas një njoftimi zyrtar, Policia e arrestoi Bushpepën në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 92”.
Ai u kap në lagjen “Vasil Shanto”, ndërsa pritet të ekstradohet drejt Italisë.
“Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Kol Bushpepa alias Sokol Bushpepa, 45 vjeç, banues në Rrëshen.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit, Itali, e ka dënuar me 5 vite, 3 muaj e 10 ditë, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vite e 18 ditë burgim.
Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane”, thuhet në njoftimin zyrtar në Tiranë.
Mediat italiane e cilësonin Kol Bushpepën, si kreun e bandës shqiptare të specializuar në trafikun e kokainës në Mestre dhe Venecia.
“Kol Bushpepa është pjesë e një rrjeti kriminal familjar që në fakt ka qenë një kompani holding që merret me trafik droge për të paktën 15 vjet dhe kohët e fundit është zgjeruar edhe në investime.
Sidomos në mjediset e akomodimit, të cilat nga ana tjetër lejojnë fitime të mëtejshme të paligjshme, duke qenë se turistët shpesh paguajnë me para në dorë.
Duke fituar para me marijuanën, familja shqiptare që përfshin Kol Bushpepën, së bashku me të afërmit, miqtë dhe të njohurit, të gjithë shqiptarë, ka kohë që merret me drogëra të forta, të cilat gjenerojnë fitime shumë më të larta se marihuana. Kjo falë faktit se Mestre është një qendër e madhe për tregtinë e narkotikëve, siç demonstrohet nga hetimet e policisë dhe, akoma më shumë, nga vdekjet nga mbidoza që e kanë bërë Mestren një nga kryeqytetet e vdekjeve të lidhura me heroinën.
Dhe shqiptarët kanë qenë prej kohësh në gjendje të mbështeten në një rrjet efikas të furnizimit me drogë. Ata madje kanë edhe ndërmjetësit e tyre të kokainës që blejnë direkt nga kartelet e drogës në Amerikën Latine, dhe kohët e fundit mafia shqiptare është bërë aq e fortë saqë po furnizon edhe 'Ndranghetën, e cila gjithmonë ka mbajtur monopolin e trafikimit të kokainës në të gjithë Evropën Veriore”, thuhet në artikullin e mediave italiane.
Lini një Përgjigje