TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Maj 2026, 16:52

Aksidenti me dy viktima në Durrës, banorët të tronditur: Ishin 4 fëmijë, njëri prej tyre shpëtoi mrekullisht

Shkruar nga Pamfleti
Aksidenti me dy viktima në Durrës, banorët të tronditur:
Pamje nga vendi i ngjarjes

Banorët e lagjes nr. 15 në Durrës kanë reaguar pas aksidentit tragjik ku tre fëmijë rreth 10 vjeç u përplasën nga një automjet, duke lënë dy prej tyre të vdekur dhe një tjetër në gjendje të rëndë.

Ata e cilësojnë ngjarjen si një tragjedi të rëndë dhe shprehen të tronditur për atë që ndodhi në zonën e tyre, duke bërë apel për më shumë kontrolle nga Policia dhe kujdes më të madh nga drejtuesit e mjeteve.

Për një të moshuar, ajo që ndodhi është një ngjarje që mund t’i ndodhë kujtdo. 

“Jemi pa fjalë. Të ta shtypin fëmijën para shtëpisë, është tragjike. Ka një problem këtu, ecin shpejtë shoferët, ecin shpejtë shoferët, por Policia duhet të bëjë më tepër kontrolle në këtë rrugë. Asnjëherë nuk vjen Policia këtu, edhe është njoftuar nga ana jonë. Ky është problemi”, tha ai për "Report Tv".

Një tjetër banor e përshkroi momentin e përplasjes si jashtëzakonisht të rëndë, duke theksuar shpejtësinë e mjeteve në këtë segment rrugor.

“Ngjarje më të rëndë s’kemi parë. Unë isha ulur në kafe. Fëmijët ishin ulur, imagjino nga goma atje, i ka çuar, i ka plasur atje. Situatë më të keqe s’kemi parë. Veç kam parë kur ka kërcit, që i ka marrë zvarrë. Shoferët ecin shumë shpejtë në këtë rrugë. Disa janë edhe të lagjes, pa patenta, por ecin kokërr plumbi”, u shpreh ai.

Një banore e zonës tregoi se dy nga fëmijët e aksidentuar ishin të afërm mes tyre, teksa shton se të pranishëm ishin 4 fëmijë, ky i fundit i shpëtoi aksidentit. 

Mësohet se njëri prej të miturve, arriti të shpëtojë pasi në momentin e përplasjes u fsheh pas një biçiklete.

“Si të tërbuar ecin njerëzit këtu në rrugë. Po bëhet rruga këtu gjak dynjaja përditë e përnatë. Njëri është komshi këtu, tjetri komshi këtu. Të lagjes i kemi, i kemi rritur, ju dhemb mishi, të vegjël. Dy ishin çun halle, çun daje. Këtë këtu jo, e kemi komshi thjeshtë. Njëri është në Tiranë, 2 kanë vdekur, i katërti ka shpëtuar thonë. Të vihet rregull”, tha ajo.

Banorët ngrenë shqetësimin për mungesën e sigurisë në rrugë, duke theksuar se fëmijët janë të ekspozuar ndaj rrezikut për shkak të shpejtësisë së lartë të automjeteve dhe mungesës së kontrollit. 

“Apelin e kemi, Policia të veprojë si duhet. Të shtojë forcat në rrugë. Se po vriten. Kalojnë makinat këtu mbi 160 km në orë. Fëmijët tanë janë të pasigurtë. Siç u gjetën këta fëmijë në rrotat e makinës, mund të gjenden edhe të tjerët. Po tmerrohemi. Këtu pinë drogë, vjen rruga era drogë”, tha një tjetër banor. 

Në kushte të rënda emocionale, një e afërme e njërit prej të miturve reagoi me tone të forta ndaj situatës: “Ku është shteti i dreqit këtu? Ka mbaruar njerëzimi. Fëmija t’u luajt, e ka hedh makina atje poshtë. Latë nam latë”.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rritjen e sigurisë rrugore në zonë, ndërsa ngjarja ka rikthyer shqetësimet për mungesën e kontrollit dhe respektimit të rregullave të qarkullimit.

Lini një Përgjigje