TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi21 Tetor 2025, 16:15

Agroindustria shqiptare përballet me murin e standardeve të BE-së

Shkruar nga Pamfleti

 Agroindustria shqiptare përballet me murin e standardeve të BE-së

Shqipëria përballet me kapitullin më të vështirë të integrimit; agroindustria duhet të kalojë testin e standardeve europiane, nga uji i përpunimit deri te ndarja e hirrës; kush nuk modernizohet, del jashtë tregut...

Shqipëria ndodhet në një nga fazat më të vështira të procesit të integrimit europian, atë të përmbushjes së kritereve për kapitullin e bujqësisë, blegtorisë dhe agroindustrisë, një nga më të ndërlikuarit dhe më të kushtueshmit në gjithë paketën e anëtarësimit.

Pas viteve të tëra prodhimesh të pakontrolluara, ku kimikatet, falsifikimet dhe improvizimet e industrisë ushqimore janë toleruar, tani koha e mashtrimeve me etiketat “bio” dhe me produktet e spërkatura me pesticide po i vjen fundi.

BE do të kërkojë standard të plotë europian, që nis nga toka dhe përfundon te rafti i tregut.

Kontroll me “lupe” mbi çdo produkt ushqimor

Në fazën e parë të përafrimit, çdo produkt ushqimor do të kalojë në analiza të detajuara për origjinën, mënyrën e prodhimit dhe përbërjen kimike. Përdorimi i insekticideve, pesticideve dhe kimikateve të padeklaruara do të sjellë ndëshkime të rënda ligjore dhe mbyllje fabrikash.
Gjurmueshmëria e produktit, që do të jetë kriter kryesor i kontrollit, kërkon që çdo fermë, baxho apo fabrikë të ketë sistem të dokumentuar për burimin e lëndës së parë, datat e përpunimit dhe kanalin e shpërndarjes.

Agro-përpunimi, sektori më i brishtë

Agroindustria shqiptare, e përbërë kryesisht nga fabrika dhe baxho të vogla familjare, pritet të përballet me sfidën më të madhe. Kushtet e prodhimit, ndarjet higjieno-sanitare, ajrosja, uji i përpunimit dhe mënyra e magazinimit do të jenë nën lupën e inspektorëve europianë.
Për herë të parë, do të kërkohet që uji që përdoret në përpunim të kalojë në sistem osmoze dhe aparate me rreze ultraviolet, për të shmangur çdo kontaminim mikrobiologjik.
Fabrikat e qumështit dhe të produkteve të mishit do të duhet të kenë sisteme ndarjeje të ujërave të bardha, të zeza dhe të hirrës, me impiante funksionale të trajtimit para shkarkimit.

Ndalohet prodhimi në ambiente familjare

Një nga ndryshimet më drastike që pritet të zbatohet është ndalimi i përpunimit të produkteve ushqimore në ambiente familjare, pa kushte teknike dhe higjienike.
Prodhimi në shtëpi, në garazhe apo në ndërtesa të përziera me banim dhe prodhim, do të konsiderohet rrezik për shëndetin publik.
Ambjentet e përpunimit duhet të jenë të ndara fizikisht nga zonat e magazinimit, me lartësi minimale, ndriçim natyral dhe qarkullim ajri sipas standardeve të BE-së.

Standardet e reja kërkojnë investime, jo vetëm rregulla

Ekspertët e sektorit paralajmërojnë se, përveç ligjeve, Shqipërisë i nevojitet një program i madh investimesh në teknologji për përpunimin ushqimor.
Pa linja moderne, pa laboratorë analitikë dhe pa mbështetje financiare, shumica e fermave dhe baxhave shqiptare rrezikojnë të mbyllen.

Në këtë fazë, BE kërkon rezultate konkrete, jo premtime politike:

“Asnjë produkt nuk do të lejohet në tregun europian pa standard të plotë. Shqipëria duhet të kalojë nga prodhimi artizanal në prodhim industrial të sigurt,”-thuhet në raportin e Komisionit Europian.

Një realitet i ri për bujqësinë shqiptare

Në dekadat e fundit, bujqësia dhe blegtoria shqiptare janë mbështetur më shumë te improvizimi sesa te standardi. Por tani, faza e inspektimeve europiane do të jetë një provë e vërtetë për të parë nëse vendi është gati për tregun e përbashkët.
Nuk do të ketë më justifikime apo “sytë mbyllur”. Çdo prodhues do të duhet të zgjedhë: ose të modernizohet, ose të dalë jashtë tregut./Pamfleti

agroindustria shqiptare standartet e be

Lini një Përgjigje