Ekonomia botërore pas gjashtë muajsh lufte tregtare: E fortë, përtej pritshmërive
Gjashtë muaj më parë, kur presidenti amerikan Donald Trump shpalli një luftë tregtare me një agresivitet të paprecedentë, bota ekonomike priste një tronditje të fortë. Tregjet financiare parashikonin një recesion të thellë, besimi i konsumatorëve amerikanë ra ndjeshëm dhe disa indikatorë “në kohë reale” paralajmëruan ngadalësim të menjëhershëm ekonomik. Megjithatë, sot, edhe pse tensionet me Kinën vazhdojnë, pasojat katastrofike të parashikuara nuk janë materializuar.
Sipas një treguesi të aktivitetit ekonomik të përpiluar nga banka Goldman Sachs, pas një rënie në pranverë, ekonomia globale po rritet me ritme të krahasueshme me ato para fillimit të ofensivës tregtare nga Trump. Indeksi PMI global i përbërë i JPMorgan, një matës i shpejtë i aktivitetit ekonomik, arriti një kulm 14-mujor në gusht. Një tjetër vlerësim nga Rezerva Federale e Atlantës tregon se PBB-ja e SHBA-së në tremujorin e tretë të vitit 2025 u rrit me 3.9% në terma vjetorë, një performancë e fortë, edhe pse pritet që tremujori i katërt të jetë më i dobët. Ndër vendet e OECD-së, vetëm Finlanda është aktualisht në recesion, krahasuar me tetë vende në fillim të vitit 2023. Pritshmëritë për rritjen globale për vitin 2025 janë përmirësuar nga 2.2% në prill, në 2.6% sot, një rikthim në nivelin e fillimvitit.
Kjo qëndrueshmëri ekonomike lidhet pjesërisht me faktin se lufta tregtare e Trump rezultoi më pak e egër se sa u mendua fillimisht. Në prill, politikat e reja sugjeronin tarifa efektive deri në 28%. Sot, pas disa tërheqjesh, importet përballen me një taksë mesatare pak mbi 10%. Për më tepër, politika fiskale agresive, veçanërisht në SHBA, ka ndihmuar kërkesën agregate. Megjithatë, këto kushte të favorshme mund të mos zgjasin: Trump mund të vendosë tarifa të reja në çdo moment, dhe shumë qeveri pritet të fillojnë uljen e deficitit buxhetor.
Pavarësisht kësaj, tregjet financiare mbeten optimiste. Pritet një sezon pozitiv për fitimet e korporatave në tremujorin e tretë, pas një rritjeje 7% vjetore në tremujorin e dytë. Indeksi MSCI ACWI, që përfaqëson tregjet botërore të aksioneve, është në nivele rekord. Kompanitë “ciklike”, që ofrojnë produkte të konsumit të përditshëm si automjete apo pajisje ndërtimi, po performojnë më mirë se ato “defensive”, një sinjal tipik i zgjerimit ekonomik.
Shumë shqetësime për ekonominë globale, gjithashtu, duken më të zbutura se ç’duken në pamje të parë. Një frikë është se investimet në inteligjencën artificiale, sidomos në qendra të dhënash – janë e vetmja gjë që po e mban ekonominë në këmbë, dhe një kolaps i kësaj teknologjie do të ishte shkatërrimtar. Kjo ndjesi është më e pranishme në SHBA, ku investimet në pajisje dhe softuerë informatikë përbënin 40% të rritjes së PBB-së gjatë vitit të kaluar. Por të dhënat tregojnë se të paktën dy të tretat e këtyre investimeve nuk kanë lidhje me AI-n. Dhe jashtë SHBA-së nuk ka asnjë provë që teknologjia po nxit rritjen ekonomike.
Shqetësimi i dytë ka të bëjë me punësimin. Në SHBA, rritja e punësimit është ngadalësuar. Raporti i ardhshëm për tregun e punës, i pezulluar për shkak të mbylljes së qeverisë, mund të tregojë rritje pothuajse zero. Disa e lidhin këtë me efektet e AI-së, por një studim i ri nga Yale Budget Lab vëren se nuk ka pasur ndërprerje të dukshme në tregun e punës që nga shfaqja e ChatGPT. Në vendet e tjera të OECD-së, punësimi mbetet i fortë: vetëm në gjysmën e parë të vitit, u shtuan 3 milionë vende pune.
Shqetësimi i tretë është besimi i konsumatorëve. Në SHBA, ai është rikuperuar nga niveli i ulët i prillit dhe majit, por mbetet shumë poshtë nivelit të para-pandemisë. Në rang global, pasiguria mbi politikat ekonomike është ende e lartë, dhe kërkimet në Google për fjalën “tarifa” vazhdojnë të jenë të shumta – një shenjë se politikat e Trump ende ndikojnë perceptimin publik. Disa paralajmërojnë se një rënie e bursës së teknologjisë do ta përkeqësonte situatën, por, gjashtë muaj pas fillimit të ofensivës, ekonomia globale po tregon një rezistencë befasuese ndaj krizave. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”
Lini një Përgjigje