
Strategjia e Sigurisë dhe shkëputja e SHBA-së: një mundësi që Evropa nuk mund ta humbasë!
Nëse një lider europian do të kishte vizion dhe do të lexonte historinë me sy strategjik, do ta kuptonte qartë analogjinë: Donald Trump si Frederiku Barbarossa dhe Evropa si qytetet italiane të Mesjetës që u çliruan nga perandoria me betejën e Legnanos.
Sot, strategjia e sigurisë kombëtare e Trump është thirrja për t’i dhënë fund marrëdhënies së vjetër vasale mes Europës dhe SHBA-së. Një marrëdhënie e bazuar më shumë në frikë dhe varësi sesa në barazi.
Trump nuk e fsheh më që nuk ka interes të mbajë peshën e sigurisë europiane. Dokumenti i tij strategjik e heq çdo petk hipokrizie: “Perëndimi” nuk është më një vlerë universale, por një zonë influence amerikane që funksionon sipas kushteve të Uashingtonit. Liria e kombeve që predikohet jashtë, nuk vlen njësoj brenda: Europa përballet sot me kritika nga SHBA për mënyrën si trajton migracionin, fjalën e lirë, dhe identitetin.
Europa, një pjatë në menynë amerikane
Në vizionin trumpian, Europa nuk është më aleat, është terren loje, një objekt gjeopolitik. ShBA-ja kërkon besnikëri strategjike, dazhe ekonomike dhe mbështetje ushtarake, ndërsa nuk ofron më garanci reale në kthim.
Nga përçarja e brendshme me mbështetjen ndaj populistëve, te goditja ndaj industrisë gjermane, tek përdorimi i Ukrainës si kufi simbolik ndaj Rusisë, Amerika ka diktuar axhendën e kontinentit pa u përballur me asnjë rezistencë serioze.
Ndërkohë që SHBA po vendos rregullat e reja të lojës globale, elitat europiane ndjekin automatikisht direktivat e Uashingtonit. Çdo përpjekje për autonomi strategjike europiane është quajtur “anti-perëndimore”.
Në sektorin teknologjik, Amerika ka mbizotëruar përmes tekno-oligarkëve të saj, pa asnjë kundërpeshë nga BE. Në dosjet gjeopolitike, nga Lindja e Mesme te Kina, qëndrimet europiane janë pothuajse fotokopje të qëndrimeve amerikane.
Koha për ta menduar ndryshe
Por pikërisht përballë kësaj sfide lind mundësia. Europa mund të fillojë të mendojë për një mbrojtje të përbashkët reale, brenda strukturave ekzistuese si NATO, duke ndërtuar kapacitete që sot varen nga SHBA, si survejimi satelitor apo mbrojtja kundërraketore.
Po ashtu, mund të ribalancojë marrëdhëniet tregtare, duke u hapur më shumë ndaj tregjeve si India, ASEAN-i apo vendet e Gjirit.
Ironikisht, ndërkohë që bota përballet me regjime autoritare, si Kina me partinë-shtet dhe Rusia e zhytur në autokraci, Europa nuk ka arritur të pozicionohet si kampione e vërtetë e lirive, qoftë për fjalën e lirë, për median apo për lirinë ekonomike. Edhe këtu, burokracia europiane është më e zënë me kontrollin, sesa me çlirimin.
Në fund, mësimi nga historia është i qartë: ashtu si Komunat italiane që sfiduan Barbarossën në vitin 1176 në emër të lirisë, edhe Europa e sotme ka nevojë për një Lega Lombarda të re, që të dalë nga nënshtrimi strategjik dhe të veprojë si fuqi më vete. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje