
Shteti i Afrikës Perëndimore, Benini, ka përjetuar një tentativë të rrezikshme për grusht shteti mëngjesin e së dielës, pasi një grup i vogël ushtarësh u përpoqën të përmbysnin qeverinë në fuqi dhe të rrëzonin presidentin aktual, Patrice Talon.
Sipas ministrit të Brendshëm të vendit, Alassane Seidou, “një grup i vogël ushtarakësh nisi një kryengritje me qëllim destabilizimin e institucioneve”, por ndërhyrja e menjëhershme e Forcave të Armatosura Benineze “e neutralizoi plotësisht situatën”.
Grupi puçist, i udhëhequr nga nënkoloneli Pascal Tigri, u shfaq për disa minuta në televizionin shtetëror ku shpalli rrëzimin e presidentit dhe shpërndarjen e institucioneve shtetërore, duke pretenduar se kufijtë e vendit ishin mbyllur dhe se të gjitha partitë politike ishin pezulluar.
Sipas burimeve të agjencisë AFP, të paktën 13 persona janë arrestuar, shumica aktive në shërbimin ushtarak, ndërsa njëri prej tyre është ish-ushtarak. Incidenti ndodhi pranë Kampit Guezo në Cotonou, ku raportohet se ka pasur të shtëna armësh. Pjesa tjetër e qytetit dhe vendit ka mbetur e qetë.
Ministri i Jashtëm, Olushegun Adjadi Bakari, konfirmoi për agjencinë Reuters se kontrolli mbi situatën u rivendos shpejt, ndërsa theksoi se tentativa kishte përfshirë vetëm një grup të vogël ushtarësh që kishin arritur të pushtonin vetëm televizionin publik, sinjali i të cilit u ndërpre pas pak minutash.
Presidenca e Beninit siguroi publikun se presidenti Talon është i sigurt dhe se ushtria ka rimarrë kontrollin mbi institucionet. “Kjo është një lëvizje e kufizuar, pa mbështetje të gjerë. Ushtria e rregullt po rivendos rendin dhe sigurinë në të gjithë vendin,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. ECOWAS (Bashkësia Ekonomike e Shteteve të Afrikës Perëndimore) e dënoi ashpër përpjekjen për puç ushtarak dhe deklaroi mbështetjen e saj të plotë për qeverinë legjitime të Beninit. Po ashtu, Bashkimi Afrikan, përmes kryesuesit të tij Mahmoud Ali Yousouf, lëshoi një deklaratë ku “e dënon fuqishëm dhe pa ekuivok” këtë akt dhe shprehu mbështetje për presidentin Talon.
Tentativa për grusht shteti në Benin vjen në një periudhë të trazuar për rajonin e Afrikës Perëndimore, ku gjatë viteve të fundit disa vende, përfshirë Nigerin, Burkinën Faso, Malin dhe Guinenë, kanë përjetuar përmbysje të dhunshme të pushtetit përmes ndërhyrjes së ushtrisë.
Ndryshe nga këto raste, Benini arriti të ruajë rendin institucional brenda disa orësh – një sinjal se, për momentin, vendi mbetet i qëndrueshëm dhe i vendosur për të mos ndjekur spiralen e destabilitetit që ka kapluar fqinjët e tij.
Lini një Përgjigje