Gazetarit dhe botuesit të portalit “Bulqiza Ime”, Sami Curri, i është djegur automjeti, në një ngjarje që po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme. Vetë Curri e cilëson këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë për shkak të punës së tij investigative dhe një përpjekje për ta frikësuar.
Ai u shpreh se ngjarja ka qenë më e vështirë për familjarët, ndërsa për të përbën një nga sfidat e profesionit.
Curri prej rreth 10 vitesh drejton një media lokale të fokusuar në monitorimin e institucioneve në Dibër, duke raportuar mbi protesta, projekte energjetike dhe abuzime të dyshuara me fondet publike.
Ai theksoi se, edhe pse nuk ka pasur kërcënime të drejtpërdrejta, presionet dhe ndërhyrjet kanë qenë të vazhdueshme, shpesh në formë “këshillash” për të mos trajtuar çështje të caktuara. Sipas tij, djegia e makinës synon të krijojë frikë dhe autocensurë, jo vetëm tek ai, por edhe tek gazetarët e tjerë.
Pavarësisht kësaj, Curri deklaron se do të vijojë punën e tij investigative, ndërsa rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në nivel lokal.
"Jam shumë mirë. Normalisht në ato orët e para, domethënë të ngjarjes janë pak problematike, më së shumti për familjarët se mbase në punën tonë të përditshme kjo gjëja... pra përballemi me sfida të ndryshme dhe kështu që them kjo konsiderohet një nga ato sfidat ose siç thuhet në një nga anët tona, ujë për të pirë, kështu që... Por për familjarët patjetër që është pak problematike se nuk janë mësuar me rrethana të tilla, tek rrethi shoqëror, familjarët më të afërt gjithashtu.
Flavio, për fat të mirë e njohim njëri-tjetrin gati, po them shumë vite, që në eksperiencat mëparshme televizive. Unë kam zgjedhur që pas studimeve të kthehem në vendlindje dhe prej afër 10 vitesh kam themeluar, si të themi, një portal që e kam projektuar po themi që të jetë një media lokale, që i shërben interesit publik dhe monitorimit kryesisht të punës së institucioneve vendore, pra bashkive që janë në qarkun e Dibrës edhe prokurimet që janë, le të them, pjesa kryesore tek investimet infrastrukturore. Gjithashtu edhe punën e institucioneve të drejtësisë, pra gjithmonë më shumë në nivel lokal.
Tek çështjet që ne po trajtojmë janë të shumta po them, sepse puna e përditshme, sidomos kjo lloj periudhe ka qenë shumë e ngarkuar së pari me shumë protesta, duke nisur nga panelet fotovoltaike, pra HEC-et që janë kthyer në protesta sidomos në Bulqizë, ka pasur disa organizime. Njëkohësisht, protesta të tjera për HEC-et që kanë marrë mbështetje të jashtëzakonshme dhe raportim të vazhdueshëm nga ana jonë.
Gjithashtu edhe disa abuzime të konsiderueshme që ne i kemi, i kemi konstatuar që kanë të bëjnë me përdorimin e parasë publike, fondeve publike në investime që janë kryer dhe që normalisht kanë në terren probleme të shumta. Ndërsa likuidimet kanë vazhduar me vlera milionëshe. Duhet t'i referohem këtu vetëm rastit të Gjoricës që është një ujësjellës që ka kushtuar afër 3.3 milionë euro dhe sot ai ujësjellës nuk është as në funksion dhe as nuk përdoret as për ujë të rrjedhshëm dhe as për ujë të pijshëm, që në thelb ky ishte vlera e investimit pra këtu duhet të shkonte, si me thënë.
Kemi ndjekur vazhdimisht përditshmërisht këto raportime që ne i kemi pasur, gjithmonë duke shfaqur atë problemet që vijnë nga përdorimi i fondeve publike.", tha ai për Syri.tv.
Lini një Përgjigje