Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Bilanci i SPAK në vitin 2025/ Klodian Braho nis raportimin para KLP: Janë bllokuar mbi 24 mln euro
Klodjan Braho, kreu i SPAK, ka nisur raportimin para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, për vitin 2025 të Prokurorisë së Posaçme.
Në seancë Braho është i shoqëruar nga Vladimir Mara (shef i seksionit kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit), Dorina Bejko (shefe e seksionit kundër korrupsionit) dhe drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
“Në krahasim me vitin 2024, ky raport thuajse është dyfishuar”, theksoi ai, referuar volumit të çështjeve dhe efektivitetit në hetim.
Gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet të reja, të regjistruara brenda 12 mujorit dhe 39 prej të cilave janë bashkuar, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 4.9% të volumit të hetimeve penale (nga 793 në 832). SPAK ka mbyllur hetimet për 216 çështje, i njëjti nivel me atë të vitit paraardhës, tha Braho.
Kreu i SPAK tha se korrupsioni është çështja më shqetësues sepse përfshin zyrtarë në disa fusha.
CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA/ Sot gjyqi në themel ndaj Metës e Kryemadhit
Në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet sot në orën 11:00 seancën e parë të gjyqit në themel ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe tre të bashkëpandehurve.
Në këtë proces Meta e Kryemadhi do të përballen me akuzat e "korrupsionit", "pastrimit të parave" dhe "fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë".
Ish-presidenti Meta ka lajmëruar se do të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit. Më herët ai ka ftuar edhe trupën e huaj diplomatike në Tiranë të jenë prezentë për të dëshmuar se si do të çmontojë akuzat e SPAK.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024, dhe SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën Cez-Dia dhe lobimin e LSI-së në SHBA. E pandehur është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë detyrim paraqitje.
Djegia e makinës mesazh kërcënues për gazetarin/ Dyshimet që mund të çojnë deri në majën e pushtetit lokal?
Në orët e para të së dielës u përfshi nga flakët automjeti i gazetarit Sami Curri. Djegia e makinës u klasifikua nga policia lokale si një veprim i qëllimshëm, ndërsa kanë nisur hetimet. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ky krim, ende nuk ka një identifikim dhe arrestim të autorit ose autorëve.
Djegia e automjetit të gazetarit Curri është një mesazh kërcënues, ndoshta hapi i parë i agresorëve ose porositësve.
Automjeti i gazetarit ishte i parkuar rreth 30 metra nga pallati ku ai banon me nënën e tij, ndërsa nga dëshmia publike e dhënë nga Curri ai u njoftua pak minuta pasi “Ford Fiesta” ishte përfshirë nga flakët.
Autoritetet thanë se një grup hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po punon për të identifikuar autorët dhe për të dokumentuar rrethanat e rastit.
Gazetari Curri drejton median lokale “Bulqiza ime” dhe mjafton një hulumtim në këtë ëebsite, për të krijuar ndoshta indiciet e para se kush mund të dyshohet se qëndron pas kërcënimit që iu dha përmes djegies së makinës.
Rreth një javë përpara se t’i digjnin automjetin, në median lokale që drejton Curri, është publikuar një lajm mbi një operacion të policisë, që çoi në pranga një shtetas bullgar, një zyrtar lokal dhe një ish-zyrtar, që dyshohet se janë përfshirë në skemën e falsifikimit të pasaportave bullgare.
Konsumi i naftës në kufijtë e Maqedonisë/ 200 mijë litra në ditë blihen nga shqiptarët
Pikat kufitare të karburantit në Maqedoninë e Veriut kanë parë së fundmi një trefishim të shitjeve të karburantit, për shkak të kërkesës së shtuar nga vendet fqinje, kryesisht Shqipëria dhe më pak Greqia.
Sipas të dhënave zyrtare nga qeveria maqedonase, të siguruara nga “Monitor”, përmes gazetarëve korrespondentë, konsumi ditor i të gjitha llojeve të karburanteve është rritur në 2 milionë litra.
Këtë shifër e ka konfirmuar dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në daljet publike.
Nga konsumi total, 10% i atribuohet qytetarëve të huaj, kryesisht nga Shqipëria dhe nga Greqia, sipas të dhënave zyrtare. Kjo do të thotë se rreth 200 mijë litra në ditë karburant konsumohen nga të huajt. Konsumi ditor është rritur nga 1.5 milionë litra në ditë në 2 milionë litra së fundmi, sipas burimeve zyrtare.
Sipas informacionit të konfirmuar, konsumi ditor në pikat e karburantit në kufijtë veriorë, jugorë dhe perëndimorë është trefishuar. Këto janë pika në kufi me doganat e Dibrës së Madhe dhe Prespës.
Të premten, një litër naftë tregtohej në Maqedoninë e Veriut me 1.52 euro. Në Shqipëri nafta tregtohet me 202 lekë, ose gati 2.1 euro, gati 40% më shumë se në shtetin fqinjë.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje