TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Prill 2026, 10:29

Djegia e makinës si mesazh kërcënues për gazetarin Sami Curri; dyshimet që mund të çojnë deri në majën e pushtetit lokal?

Shkruar nga Pamfleti
Djegia e makinës si mesazh kërcënues për gazetarin Sami
Makina e djegur e gazetarit Sami Curri

Vetë gazetari e lidhi incidentin me aktivitetin e tij profesional, duke sugjeruar se zjarrvënia kishte për qëllim ta frikësonte për shkak të raportimeve të tij mbi çështje lokale në Dibër. “Është një mesazh që më japin për punën që bëj,” tha ai.

Në orët e para të së dielës u përfshi nga flakët automjeti i gazetarit Sami Curri. Djegia e makinës u klasifikua nga policia lokale si një veprim i qëllimshëm, ndërsa kanë nisur hetimet. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ky krim, ende nuk ka një identifikim dhe arrestim të autorit ose autorëve.

Djegia e automjetit të gazetarit Curri është një mesazh kërcënues, ndoshta hapi i parë i agresorëve ose porositësve.

Automjeti i gazetarit ishte i parkuar rreth 30 metra nga pallati ku ai banon me nënën e tij, ndërsa nga dëshmia publike e dhënë nga Curri ai u njoftua pak minuta pasi “Ford Fiesta” ishte përfshirë nga flakët.

Autoritetet thanë se një grup hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po punon për të identifikuar autorët dhe për të dokumentuar rrethanat e rastit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, pasi paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme,” njoftoi zyrtarisht policia.

Vetë gazetari e lidhi incidentin me aktivitetin e tij profesional, duke sugjeruar se zjarrvënia kishte për qëllim ta frikësonte për shkak të raportimeve të tij mbi çështje lokale në Dibër. “Është një mesazh që më japin për punën që bëj,” tha ai.

Gazetari Curri drejton median lokale “Bulqiza ime” dhe mjafton një hulumtim në këtë ëebsite, për të krijuar ndoshta indiciet e para se kush mund të dyshohet se qëndron pas kërcënimit që iu dha përmes djegies së makinës.

Rreth një javë përpara se t’i digjnin automjetin, në median lokale që drejton Curri, është publikuar një lajm mbi një operacion të policisë, që çoi në pranga një shtetas bullgar, një zyrtar lokal dhe një ish-zyrtar, që dyshohet se janë përfshirë në skemën e falsifikimit të pasaportave bullgare.

Gjatë ditës së sotme, forca të shumta policie janë parë në godinën e Bashkisë Bulqizë, ku janë kryer veprime hetimore dhe është bërë marrja e dokumenteve që lidhen me çështjen e falsifikimit të dokumenteve për pajisjen me pasaporta bullgare. Burime bëjnë me dije se verifikimet janë përqendruar tek dokumentacioni administrativ i njësisë Ostren dhe procedurat e lëshimit të vërtetimeve të gjendjes civile. Ky nuk është rasti i parë që emri i njësisë administrative Ostren përfshihet në hetime të tilla. Në dhjetor të vitit 2023, policia arrestoi tre zyrtarë të Bashkisë Bulqizë, mes tyre administratorin e atëhershëm të Ostrenit, Luan Mjeshtri, vëllai i kryetares së bashkisë Festime Mjeshtri, si dhe dy punonjës të tjerë vendor”, thuhej ndër të tjera në artikullin e publikuar.

Djegia e makinës si mesazh kërcënues për gazetarin Sami

Në një tjetër artikull, të publikuar rreth 3 javë më parë në median lokale të drejtuar nga Curri, denoncoheshin tenderat e Bashkisë së Bulqizës lidhur me ujësjellësin.

Që nga momenti kur Festime Mjeshtri mori drejtimin e Bashkisë Bulqizë në shtator 2023, për fazën e dytë të ujësjellësit të Gjoricës janë kryer katër pagesa të rëndësishme nga thesari, me një vlerë totale prej 71,446,815 lekësh.

Kjo shumë përfshin likuidimin e 23,535,397 lekëve në dhjetor 2023, më pas 1,862,409 lekë në prill 2024, pagesën e situacionit përfundimtar prej 34,587,660 lekësh në gusht 2024, si dhe në fund 11,461,349 lekë në tetor 2025, që përfaqëson pagesën e garancisë 5% të punimeve. Në praktikë, afro 31% e gjithë vlerës së fazës së dytë prej 229.2 milionë lekësh është likuiduar gjatë administrimit të saj, në një periudhë kur qytetarët vijonin të ankoheshin se rrjeti nuk përdorej për shkak të ndotjes dhe mungesës së sigurisë për konsum”, thuhej ndër të tjera në artikull.

Djegia e makinës si mesazh kërcënues për gazetarin Sami

Në një tjetër shkrim, që shënjestronte Bashkinë e Bulqizës, media lokale e drejtuar nga Curri denonconte dhënien në përdorim të një sipërfaqeje prej j 21 hektarësh nga fondi pyjor/kullosor në fshatin Lubalesh, Njësia Administrative Gjoricë, për ndërtimin e një parku me aerogjeneratorë dhe panele fotovoltaike.

Sipas dokumenteve të publikuara në Buletinin e Njoftimeve Publike të Agjencisë së Prokurimit Publik, ankandi është zhvilluar më 23 shkurt 2026 me procedurë të hapur, ndërsa objekti i tij ishte dhënia në përdorim e tokës për ndërtimin e infrastrukturës së prodhimit të energjisë së rinovueshme, përfshirë stacionet, bazamentet dhe objektet mbështetëse. Lidhja e kontratës për këtë ankand është bërë në datë 9 mars.

Vlera fillestare e ankandit ishte 176 mijë lekë për hektar në vit, që për sipërfaqen prej 21 hektarësh arrinte në rreth 3.69 milionë lekë në vit. Oferta fituese u shpall në vlerën 3,698,100 lekë në vit.

Procedura e dhënies në përdorim të sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor përmes ankandit rregullohet nga legjislacioni për administrimin e pronës publike dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. Sipas këtyre rregullave, ankandi duhet të zhvillohet si një procedurë e hapur dhe transparente, ku autoriteti vendor publikon paraprakisht njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në kanalet zyrtare të komunikimit të bashkisë apo të Këshillit Bashkiak, duke përcaktuar qartë objektin, sipërfaqen, vendndodhjen, vlerën fillestare dhe kushtet e përdorimit të pronës.

Megjithatë, në këtë rast nuk rezulton të ketë pasur një njoftim publik në kanalet e komunikimit të Bashkisë apo të Këshillit Bashkiak për hapjen e ankandit.

Sipas procedurës, operatorët ekonomikë paraqesin ofertat e tyre dhe fitues shpallet subjekti që ofron çmimin më të lartë, ndërsa vendimmarrja për dhënien në përdorim të këtyre sipërfaqeve merret nga Këshilli Bashkiak dhe kontrata lidhet nga bashkia me subjektin fitues sipas kushteve të përcaktuara në dokumentacionin e ankandit”, thuhej në artikull.

Djegia e makinës si mesazh kërcënues për gazetarin Sami

Në tetor 2025, Festime Mjeshtri njoftoi se do të ofronte me ankand edhe 52 parcela të tjera nga fondi pyjor për stalla blegtorie, bujtina ose parqe fotovoltaike. Nuk dihet se sa prej tyre janë miratuar deri më sot.

Aq e qartë ishte shkelja e ligjit në rastin e Martaneshit, sa vetë kryebashkiakja u detyrua të pranonte publikisht se nuk kishte respektuar procedurën e konsultimit. Por ajo nuk e anuloi tenderin, nuk kërkoi falje dhe asnjë institucion nuk e thirri të japë llogari.

Referuar denoncimeve që Curri ka bërë në periudha të ndryshme, ndoshta grupi hetimor mund t’I përfshijë si indicie jo thjesht për të zbuluar autorin por atë që qëndron pasi tij, urdhërdhënësin.

Ky është një mesazh frikësimi, por dua ta them qartë: ata që e kanë bërë këtë akt nuk do të arrijnë të më kërcënojnë apo të më ndalin. Për mua, gazetaria nuk është thjesht profesion, por mision në shërbim të publikut dhe do të vazhdoj ta ushtroj me të njëjtin përkushtim, me çdo çmim.

Prej javësh kemi qenë përballë përpjekjeve të vazhdueshme për të ndikuar dhe ushtruar presion mbi punën tonë, veçanërisht për temat që kemi trajtuar dhe ato që janë ende në proces raportimi. Megjithatë, çdo shqetësim i qytetarëve, çdo hall i një banori që i preket jeta, prona apo e drejta, do të gjejë gjithmonë derën tonë të hapur dhe hapësirën e nevojshme për t’u dëgjuar.

Mbrojtja e interesit publik, çështjet e mjedisit, problemet e komunitetit dhe protestat që lindin në çdo cep të Dibrës kanë gjetur dhe do të vazhdojnë të gjejnë vend në raportimin tim. Kjo është dhe do të mbetet misioni im kryesore në çdo moment: të jemi në anën e publikut dhe të së vërtetës”, ishte mesazhi që Curri dha pas djegies së makinës.

curri makina kercenime

Lini një Përgjigje