Teuta ka arritur të sigurojë qendrimin në elitën e futbollit shqiptar, pasi triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Pogradecit në ndeshjen “play-out”.
Sfida u karakterizua nga kujdesi i madh i të dyja skuadrave dhe ritmi i ulët i lojës, me rastet për shënim që munguan pothuajse gjatë gjithë takimit. Goditja e parë në portë u regjistrua vetëm pas një ore lojë, kur Boçi provoi për Teutën.
Moment kyç i takimit ishte minuta e 81-të, kur arbitri Eldorian Jorgji ndëshkoi me karton të kuq lojtarin e Pogradecit, Pius, pas rishikimit të episodit në VAR për një goditje me bërryl në mesfushë.
Me një lojtar më shumë në fushë, Teuta mori kontrollin e lojës dhe shtoi presionin në minutat e fundit. Goli vendimtar erdhi në minutën e dytë shtesë, kur Klejdi Daci dërgoi topin në rrjetë dhe vulosi mbijetesën e skuadrës durrsake.
Ky sukses i jep fund një sezoni të vështirë për Teutën, e cila arrin të ruajë vendin në Superiore pavarësisht një faze të katërt zhgënjyese. Nga ana tjetër, Pogradeci dështon për të dytin vit radhazi të sigurojë ngjitjen në elitë përmes ndeshjes “play-out”.
Lini një Përgjigje