
Sëlltiku është shpallur kampion i Skocisë pas një fitoreje dramatike 3-1 ndaj Hearts në “Celtic Park”, duke i mohuar skuadrës nga Edinburgh rikthimin te titulli pas plot 66 vitesh.
Hearts kryesonte kampionatin që prej shtatorit të vitit 2025 dhe i mjaftonte edhe një barazim në transfertën e Glasgout për të fituar trofeun historik. Madje, skuadra mike kaloi e para në avantazh në minutën e 43-të me Laurans Shankland, duke ndezur shpresat për triumfin e shumëpritur.
Megjithatë, Sëlltiku reagoi menjëherë dhe barazoi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, kur Engels u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë për rezultatin 1-1.
Pjesa e dytë ishte e luftuar dhe me ritëm të lartë, ndërsa barazimi vazhdonte t’i jepte titullin Hearts. Gjithçka ndryshoi në minutën e 88-të, kur Maeda realizoi golin e përmbysjes për Sëlltikun. Goli u konfirmua edhe nga sistemi VAR, duke shpërthyer festën në stadium.
Në përpjekje për të gjetur golin e barazimit, Hearts hodhi gjithçka në sulm, por në sekondat e fundit Osmand shënoi edhe golin e tretë për vendasit, duke vulosur suksesin e Sëlltikut.
Pas vërshëllimës finale, tifozët vendas pushtuan fushën për të festuar një titull historik. Me këtë sukses, Sëlltiku ngjitet në kuotën e 56 trofeve kampionë në Skoci, duke kaluar për herë të parë që nga vitet 1930 rivalët e Renxhërsit, që mbeten me 55 tituj.
Ky është gjithashtu titulli i pestë radhazi për Sëlltikun dhe i 14-ti në 15 sezonet e fundit, duke konfirmuar dominimin absolut të klubit në futbollin skocez.
Te Hearts, në stol ishte edhe sulmuesi shkodran Sabah Kerjota, ndërsa zhgënjimi në kampin e skuadrës nga Edinburgu mbetet i madh pas humbjes së një titulli që dukej shumë pranë.
Lini një Përgjigje