David Bekam është shpallur zyrtarisht sportisti i parë britanik që arrin statusin e miliarderit, sipas renditjes së publikuar nga “Sunday Times Rich List 2026”.
Pasuria e përbashkët e Bekam dhe bashkëshortes së tij, stilistes dhe ish-anëtares së “Spice Girls”, Viktoria Bekam, vlerësohet në rreth 1.185 miliardë paund, ose afërsisht 1.36 miliardë euro.
Çifti renditet ndër figurat më të pasura të showbiz-it dhe sportit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa në kategorinë e personazheve të lidhur me sportin mban vendin e dytë pas familjes së ish-drejtuesit të Formula 1, Bërni Ekleston, pasuria e të cilit llogaritet rreth 2 miliardë paund.
Pjesa më e madhe e suksesit financiar të Bekam ka ardhur pas përfundimit të karrierës si futbollist. Ish-ylli i Mançester Junajtid, Realit të Madridit, Milanit dhe PSG-së ka ndërtuar një perandori biznesi përmes marrëveshjeve të sponsorizimit me marka të njohura ndërkombëtare si Adidas dhe Hugo Boss.
Një tjetër burim i rëndësishëm i të ardhurave është edhe klubi amerikan Inter Majemi ku Bekam është bashkëpronar. Klubi konsiderohet aktualisht një nga më të vlefshmit në Major League Soccer, me një vlerë të raportuar prej rreth 1.45 miliardë dollarësh.
Publikimi i listës së re të “Sunday Times” e ka kthyer Bekam në një nga figurat më të suksesshme britanike jo vetëm në sport, por edhe në botën e biznesit dhe marketingut global.
Lini një Përgjigje