Atalanta pritet të hyjë në një fazë të re organizimi për sezonin e ardhshëm, me ndryshime që mund të prekin jo vetëm skuadrën, por edhe strukturat drejtuese të klubit.
Sipas raportimeve të mediave italiane, në orbitën e klubit bergamask është përfshirë edhe emri i drejtorit sportiv shqiptar, Sokol Haxhia. Në Itali po qarkullon prej ditësh mundësia që Kristiano Xhiuntoli, një nga drejtuesit më të vlerësuar të futbollit italian, të marrë drejtimin e një projekti të ri tek Atalanta.
Megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, në qarqet sportive italiane përmendet edhe mundësia që Haxhia të jetë pjesë e stafit të Xhiuntolit, duke u bazuar në marrëdhënien e gjatë profesionale dhe bashkëpunimin mes tyre ndër vite.
Nëse ky skenar do të konkretizohej, ai do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në karrierën e Sokol Haxhias, por njëkohësisht edhe një vlerësim për kontributin shqiptar në futbollin italian. Ekspertët e merkatos në Itali e konsiderojnë Haxhian një profil me njohje të thellë të tregut shqiptar dhe atij italian, çka e bën një figurë të vlefshme për klubet që synojnë zgjerimin e rrjetit të tyre të talenteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së tij, Haxhia ka qenë aktiv në ndërmjetësimin e transferimeve dhe në ndërtimin e marrëdhënieve mes klubeve, drejtuesve dhe agjentëve në të dy vendet. Ai ka kontribuar gjithashtu në projekte sportive që kanë synuar afrimin e talenteve shqiptare me futbollin italian.
Aktualisht nuk ka zhvillime zyrtare mbi të ardhmen e tij, por mundësia e një angazhimi të ri në Serinë A mbetet konkrete, sidomos nëse ndryshimet e pritshme në strukturat drejtuese të klubeve italiane marrin formë gjatë verës.
Karriera e Sokol Haxhias ka qenë e lidhur prej vitesh me futbollin italian, ku ka ushtruar rolin e konsulentit të merkatos dhe ka ndërtuar kontakte të rëndësishme me klube elitare, drejtues dhe agjentë. Një etapë e rëndësishme e rrugëtimit të tij profesional ishte edhe eksperienca te Partizani, ku kontribuoi në organizimin dhe strukturimin sportiv të klubit.
Lini një Përgjigje