TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Maj 2026, 17:13

Dinamo nuk ka kohë, nesër zbret në fushë për ndeshjen me Vllazninë; Blutë përfitojnë nga rregulli i veçantë i “Final Four”

Shkruar nga Pamfleti
Dinamo nuk ka kohë, nesër zbret në fushë për ndeshjen
dinamo

Dinamo ka arritur të fitojë për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë, pasi mposhti Egnatian me rezultatin 3-2 në finale. Megjithatë, festa për kryeqytetasit zgjat pak, pasi skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të rikthehet menjëherë në fushë për ndeshjen e rëndësishme ndaj Vllaznisë në fazën “Final Four”.

Përballja e nesërme do të jetë e shtata mes dy skuadrave gjatë këtij sezoni. Katër herë Dinamo dhe Vllaznia janë ndeshur në kampionat, ndërsa dy takime të tjera i kanë zhvilluar në Kupën e Shqipërisë. Pikërisht në Kupë, “blutë” siguruan kualifikimin për në finale dhe më pas ngritën trofeun vetëm dy ditë më parë.

Dinamo mbetet ende në garë për titullin kampion, megjithëse situata paraqitet e vështirë. Skuadra e Dajës duhet të fitojë të tre ndeshjet e mbetura dhe njëkohësisht të shpresojë në kombinime të favorshme rezultatesh nga rivalët, për të mbajtur gjallë shanset për kurorën e kampionit.

Pas përfundimit të “Final Four”, kryeqytetasit do të kenë vetëm pak ditë pushim përpara se të nisin përgatitjet për aventurën europiane në Ligën e Konferencës. Dinamo do të marrë pjesë për të dytin sezon radhazi në këtë kompeticion, pasi një vit më parë arriti deri në fazën “play-off”.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit ka sqaruar edhe çështjen e kartonëve për fazën finale të kampionatit. Kartonët e verdhë nuk mbarten në “Final Four”, ndërsa për kartonët e kuq rregullorja përcakton se ndëshkimet teknike të marra në javën e fundit të kampionatit nuk transferohen në ndeshjet finale.

Në javën e fundit të kampionatit, Dejvi Metaj i Dinamos ishte i vetmi futbollist nga katër skuadrat pjesëmarrëse në “Final Four” që u ndëshkua me karton të kuq. Duke qenë se kartoni erdhi për ndërhyrje të gabuar dhe jo për sjellje antisportive, lojtari do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Takimi i parë i “Final Four” do të luhet nesër dhe do të vendosë përballë Vllazninë dhe Dinamon, në një duel që pritet të ketë peshë të madhe në garën për titullin kampion.

 

dinamo vllaznia "final four"

Lini një Përgjigje