Reali i Madridit triumfoi 2-0 ndaj Real Oviedos mbrëmjen e së enjtes, por atmosfera në “Santiago Bernabéu” u dominua nga tensionet dhe polemikat jashtë fushës së lojës. Në qendër të vëmendjes përfunduan Kilian Mbape, trajneri Alvaro Arbeloa dhe presidenti Florentino Pérez.
Sulmuesi francez, i cili u prit me fishkëllima nga tifozët pas udhëtimit të shumëdebatuar në Sardenjë gjatë periudhës së riaftësimit, bëri deklarata të forta pas ndeshjes, duke zbuluar detaje nga raporti i tij me trajnerin.
“Trajneri më tha se jam sulmuesi i katërt në skuadër. Unë erdha këtu për të qenë titullar, por respektoj minutat që më jepen. Do të vazhdoj të punoj fort për të fituar vendin tim”, deklaroi Mbape.
Francezi shtoi se preferon të flasë hapur për të shmangur interpretimet e mediave, ndërsa komentoi edhe reagimin e tifozëve ndaj tij.
“Kjo është jeta te Reali i Madridit. Kur tifozët janë të zemëruar, është e vështirë t’ua ndryshosh mendimin. Duhet ta pranosh dhe të ecësh përpara”, u shpreh ai.
Megjithatë, deklaratat e Mbape-së u mohuan menjëherë nga trajneri Alvaro Arbeloa, i cili reagoi ashpër në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
“Nuk i kam thënë kurrë se është zgjedhja e katërt në sulm. Ndoshta më ka keqkuptuar. Unë vendos kush luan dhe, nëse nuk e aktivizoj, është për shkak të gjendjes së tij fizike”, deklaroi Arbeloa.
Trajneri madrilen shtoi se skuadra aktualisht po përballet me mungesa në repartin ofensiv dhe se nuk e kupton mënyrën se si lojtari e ka interpretuar bisedën mes tyre.
Përplasja publike mes dyshes vjen në një moment të vështirë për klubin madrilen, pas humbjes në “El Clásico” dhe shpalljes së Barcelonës kampione.
Atmosfera në “Bernabéu” ishte e tensionuar edhe në tribuna. Sipas raportimeve, sigurimi largoi dy banderola kundër presidentit Florentino Pérez, ndërsa vetë kreu i klubit u pa duke debatuar me tifozë në zonën VIP të stadiumit.
Edhe pse Mbape kontribuoi me asistin për golin e dytë të Xhud Belingam, situata e tij te Reali i Madridit mbetet e paqartë. Raportohet se një peticion online që kërkon largimin e francezit ka mbledhur një numër të madh mbështetësish.
Ngjarjet e fundit tregojnë se tensionet brenda klubit madrilen janë larg zgjidhjes dhe se klima në “Santiago Bernabéu” mbetet e trazuar.
Lini një Përgjigje