Milani po i afrohet fundit të sezonit në Serinë A, teksa vazhdon betejën për sigurimin e një vendi në Champions League. Paralelisht me objektivat në fushë, drejtuesit e klubit kanë nisur të mendojnë edhe për të ardhmen organizative dhe ndryshimet e mundshme në strukturën sportive.
Një nga emrat që po fiton terren në zyrat e klubit milanez është ai i Viktor Bezhanit. Drejtori aktual sportiv i Tuluzës, klub që gjithashtu kontrollohet nga fondi amerikan “RedBird”, konsiderohet si një profil me shumë potencial për të marrë një rol të rëndësishëm te kuqezinjtë.
Ky zhvillim vjen në një periudhë kur emrat shqiptarë vazhdojnë të lënë gjurmë në futbollin italian. Pas eksperiencës së suksesshme të Igli Tares në Serinë A, një tjetër drejtues shqiptar mund të marrë së shpejti një post kyç në elitën e futbollit italian.
I specializuar në zbulimin e talenteve
Bezhani ka spikatur në Francë për punën e tij në identifikimin dhe zhvillimin e lojtarëve të rinj. Te Tuluzë, ai ka ndërtuar një model të fokusuar te talentet premtuese, të cilat më pas janë kthyer në investime fitimprurëse për klubin.
Një nga operacionet më të rëndësishme të realizuara prej tij ishte transferimi i Xhejdi Kanvot te Kristal Palas për rreth 23 milionë euro gjatë merkatos së verës së kaluar. Ndërkohë, në skuadrën franceze vazhdojnë të spikasin lojtarë të rinj si portieri Restes dhe mbrojtësi Metali, të cilët monitorohen nga disa klube të mëdha europiane.
“RedBird” i kënaqur me projektin e tij
Sipas raportimeve, drejtuesit e “RedBird” mbeten të bindur nga strategjia që Bezhani ka ndjekur te Tuluzë dhe e konsiderojnë atë si një profil të përshtatshëm për projektin afatgjatë të Milanit.
Megjithatë, çdo vendim përfundimtar pritet të merret vetëm pas mbylljes së sezonit. Deri atëherë, emri i Viktor Bezhanit mbetet një nga alternativat më serioze për të ardhmen e drejtimit sportiv në “San Siro”.
Lini një Përgjigje