Didier Deshamp ka lënë të hapur të ardhmen e tij pas Botërorit 2026, turne pas të cilit pritet të largohet nga drejtimi i kombëtares franceze. Trajneri veteran nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të marrë drejtimin e një tjetër përfaqësueseje, përfshirë edhe Italinë.
Gjatë konferencës për shtyp, ku prezantoi listën e lojtarëve të grumbulluar për Botërorin 2026, Deshamp u shpreh se është i hapur ndaj çdo mundësie profesionale që mund t’i paraqitet në vijim.
“Drejtimi i një përfaqësueseje tjetër si Italia? Nuk përjashtoj asgjë. Për momentin nuk është në rendin e ditës për mua. Por jam i gatshëm, e dinë të gjithë. Do të mendoj për këtë çështje në të ardhmen”, deklaroi tekniku francez.
Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të shumta në Francë, ku ideja e një aventure të mundshme në stolin e Italisë nuk është pritur mirë nga opinioni sportiv.
Mes kritikëve ishte edhe gazetari i njohur i “RMC Sport”, Daniel Riolo, i cili reagoi ashpër ndaj mundësisë që Deshamp të drejtojë rivalët tradicionalë të Francës.
“Nga pikëpamja njerëzore do ta përjetoja si një tragjedi personale. E kam seriozisht. E di që është e mundur, pasi ai ka një të kaluar në Itali me Juventusin dhe është një emër shumë i njohur atje. Por për mua do të ishte një tragjedi personale”, u shpreh Riolo.
Deshamp drejton Francën që prej vitit 2012, duke fituar Kupën e Botës në vitin 2018 dhe duke e kthyer skuadrën në një nga kombëtaret më të suksesshme të dekadës së fundit.
Lini një Përgjigje