Mançester Siti ka fituar trofeun e dytë për këtë sezon, pasi triumfoi 0-1 ndaj Çelsit në finalen e FA Cup, të zhvilluar në stadiumin legjendar “Wembley”. Pak javë më parë, skuadra e Pep Guardiolës kishte fituar edhe Carabao Cup, pas suksesit ndaj Arsenalit në finale.
Pjesa e parë e takimit ishte e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që treguan kujdes në lojën mbrojtëse dhe krijuan pak raste të rrezikshme. Në minutën e 27-të, Erling Haland dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Fraksioni i parë u mbyll pa gola, 0-0.
Mançester Siti e nisi më mirë pjesën e dytë dhe iu afrua avantazhit në minutën e 47-të, kur Antoin Semenjo provoi me kokë, por topi përfundoi mbi traversë. Në minutën e 58-të, lojtarët e Çelsit kërkuan penallti për një prekje të dyshuar të topit me dorë brenda zonës nga mbrojtësit e Sitit, por arbitri lejoi vijimin e lojës.
Vetëm tetë minuta më vonë, Çelsi pretendoi sërish për penallti, pasi Zhoao Pedro u rrëzua në zonë pas një kontakti me kundërshtarin. Edhe në këtë rast, arbitri vendosi të mos ndërhyjë.
Finalja u zhbllokua në minutën e 72-të. Pas një aksioni të ndërtuar mirë dhe asistit të Erling Haland, Antoin Semenjo realizoi një gol spektakolar për t’i dhënë avantazhin Mançester Sitit.
Çelsi pati mundësinë ideale për të barazuar menjëherë pas golit të pësuar. Në minutën e 73-të, Enzo Fernandez u gjend përballë portës, por nuk arriti të konkretizonte rastin.
Në minutën e 84-të, Mançester Siti ishte pranë golit të dytë, por goditja e Mateus Nunjes u ndal nga shtylla e djathtë.
Takimi u mbyll me rezultatin 0-1, duke i dhënë Mançester Sitit trofeun e FA Cup, kompeticionit më të vjetër në historinë e futbollit anglez.
Lini një Përgjigje