Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, do të dalë sot në një konferencë urgjente për shtyp, e cila do të mbahet në orën 18:00, pas mbledhjes së Bordit të Drejtorëve të klubit madrilen.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Real Madridi përmes një njoftimi zyrtar.
“Reali i Madridit njofton se këtë pasdite, në orën 18:00, presidenti ynë Florentino Perez do të paraqitet në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Bordit të Drejtorëve dhe do t’u drejtohet mediave në një konferencë për shtyp”, thuhet në deklaratën e klubit.
Dalja publike e Perez vjen në një moment delikat për “Los Blancos”, pas një sezoni të konsideruar zhgënjyes, ku skuadra nuk arriti të fitojë asnjë trofe. Humbja e fundit ndaj Barcelonës ka shtuar presionin dhe pakënaqësinë te tifozët, pavarësisht se ekipi përbëhet nga emra të mëdhenj të futbollit europian.
Një nga temat kryesore që pritet të diskutohet është edhe emërimi i trajnerit të ri të skuadrës. Sipas raportimeve, kandidati kryesor mbetet Zhoze Murinjo, i cili aktualisht drejton Benfikën.
Klubi madrilen ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht ndonjë marrëveshje për pankinën, por konferenca e sotme pritet të sjellë më shumë qartësi për të ardhmen e Realit të Madridit.
Lini një Përgjigje