Trajneri i kombëtares spanjolle, Luis De La Fuente, ka dorëzuar këtë të hënë në FIFA listën paraprake me 55 futbollistë për Botërorin e kësaj vere, ku bie në sy mungesa e Alvaro Moratës dhe Dani Karvajal. Dy veteranët nuk janë përfshirë në listën nga e cila do të përzgjidhen 26 lojtarët që do të marrin pjesë në turneun më të rëndësishëm futbollistik.
Vendimi i teknikut spanjoll konfirmon dyshimet e ditëve të fundit se ai po mendon për një rinovim të skuadrës. Sipas të përditshmes spanjolle AS, De La Fuente ka vendosur të lërë jashtë dy futbollistët që kanë qenë pjesë kyçe e sukseseve të fundit të “La Roja”.
Në këtë mënyrë, tre nga katër kapitenët e Spanjës që fituan Kampionatin Europian verën e kaluar në Gjermani nuk do të jenë në dispozicion për Botërorin, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e ekipit.
Si Morata ashtu edhe Karvahal kanë pasur një rol të rëndësishëm në triumfet e fundit të përfaqësueses spanjolle, çka e ka bërë vendimin të vështirë për trajnerin. Megjithatë, forma jo e qëndrueshme dhe problemet fizike kanë ndikuar ndjeshëm në këtë zgjedhje.
Karvahal ka vuajtur vazhdimisht nga dëmtimet dhe, edhe në periudhat kur ka qenë i gatshëm, nuk ka pasur aktivizim të rregullt me Real Madridin. Nga ana tjetër, Morata nuk ka arritur të rikthejë formën e tij te Como, skuadër ku kërkonte një rilindje sportive. Sulmuesi spanjoll ka realizuar vetëm një gol në 28 ndeshje këtë sezon.
Lini një Përgjigje