TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Maj 2026, 15:16

Dhuna para ndeshjes Elbasani-Tirana nuk falet, Disiplina “iu kyç” stadiumin me 2 ndeshje pas përplasjes së tifozëve

Shkruar nga Pamfleti
Dhuna para ndeshjes Elbasani-Tirana nuk falet, Disiplina “iu
komisioni i disiplinës

Komisioni i Etikës dhe Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet disiplinore që lidhen me javën e fundit të kampionateve në vend, duke përfshirë Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë, të Dytë dhe futbollin e moshave.

Ndër vendimet më të rëndësishme janë masat ndaj klubeve pas incidenteve të ndodhura para sfidës Elbasani-Tirana. Përplasjet mes tifozëve kanë sjellë ndëshkime për të dy klubet.

Klubi i Elbasanit, si organizator i ndeshjes, është gjobitur me 500 mijë lekë të reja dhe është dënuar të zhvillojë dy ndeshje pa praninë e tifozëve në stadiumin “Elbasan Arena”.

Ndërkohë, edhe Tirana është penalizuar me një gjobë prej 300 mijë lekësh të reja, si dhe me zhvillimin e dy ndeshjeve të ardhshme pa tifozë.

Masat disiplinore kanë prekur edhe klubin e Sopotit, i cili është gjobitur me 300 mijë lekë të reja për sjelljen e tifozëve të tij.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës:

1. AF Elbasani, për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve në stadiumin përkatës. Zbatimi i masës disiplinore për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë do të fillojë në sezonin sportiv 2026–2027.

2. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shfaqur me hyrje të paautorizuar në fushën e lojës, hedhje sendesh në fushën e lojës, si dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve në stadiumin përkatës.

3. KF Sopoti, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, si dhe përdorim të koreve fyese, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/e të KDE-së, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/b të KDE-së, gjoba reduktohet në masën 20%.

4. Zyrtari i KF Bylis, Arbër Sino, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

5. Çeljen e hetimit disiplinor ne lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen FK Partizani U-18 kunder KF Tirana U-18.

6. Rrëzimin e kërkesës së FK Kukësi lidhur me pretendimin për aktivizimin e lojtarëve që nuk kanë të drejtë të luajnë, si të pabazuar në dispozitat e Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dhe Kodit të Disiplinës dhe Etikës.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.

komisioni i disiplinës elbasani tirana

Lini një Përgjigje