Procesi ndaj prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado, në Gjykatën Administrative, pas padisë së kryebashkiakut Erion Veliaj, që pretendon se ai është një prokuror i paligjshëm, pasi i gjithë procesi i emërimit të tij, nuk bazohet në ligj, është shtyrë për në datën 3 korrik. Seanca do të mbahet në orën 13:00.
Në seancën e sotme, ku kryebashkiaku i Tiranës, u shfaq në gjykatë teksa mbante në duar librin “Mbi durimin e të urtit", pati disa debate, teksa prokurori Ols Dado kishte zgjedhur të mos ishte i pranishëm në sallë, por të përfaqësohej nga avokati i tij.
Debatet nisën mbi çështjen nëse seanca duhej të transmetohej ose jo “live” nga mediat, por sipas trupës gjykuese, vendimi i dhënë nga gjyqtari Hazbi Balliu për të mos lejuar transmetimin e seancës live është marrë më 8 maj dhe është ende në fuqi.
Kjo ka sjellë reagimin e avokatit të Veliajt, Plarent Ndrecës, i cili u shpreh se ky është një vendim absurd që mbyll hermetikisht sallat e gjyqit. “S’gjej fjalë etike për të vlerësuar këtë absurd, mbyllja hermetike që duhet të jetë në sy të publikut po kthehet në një gjykatë të mbyllur me hekura”, tha Ndreca.
Ndreca tha se procesi po bëhet qesharak, teksa shtoi se nuk po lejohet transparenca.
"Duket që në këtë proces po humbet durimi në çdo kuptim dhe po kthehet në proces qesharak, e kjo vihet re që tek dera. Një polic pa kompetencë rri te dera dhe ndalon hyrjen e qytetarëve në seancën publike.
Është një udhëzim i KLGJ, dhe më e rënda gazetarët e publiku janë prezent, dhe ndalohet të filmojnë.
Ju deklaruat diçka tjetër dhe e vërteta është diçka tjetër për masat e regjistrimit, më thatë se do interesoheni personalisht.
Ju nuk jeni në varësi të KLGJ, por të ligjit dhe të kushtetutës", tha Ndreca.
Më pas, ishte Kryebashkiaku që hodhi një seri akuzash në drejtim të Ols Dados, të cilin e konsideroi si një prokuror të paligjshëm, që përfundoi shkollën me 5-sa, nuk ka kryer shkollën e magjistraturës, çka do të thotë sipas tij, që procedura e emërimit është nul.
“Askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen minimale që të ofron ligji”, tha Veliaj para gjykatës, teksa theksoi se Ols Dado nuk denjon të vijë në gjyq, ndërsa shtoi se emërimi i tij është një qokë në sistemin e drejtësisë.
“Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë. Ju e dini që ai e ka marrë shkollën me pesa. Nuk ka asnjë dosje. Është qokë. Edhe Bamir Topi doli dhe tha hapur se bëhej fjalë për një qokë”, tha Veliaj.
Një kritikë të fortë, Kryebashkiaku i Tiranës, e pati edhe për KLP-në, e cila sipas një shkrese dërguar gjykatës, kërkon që të mos legjitimojë Veliajn si paditës.
“Po të isha në vendin tuaj, do të isha i shqetësuar që përfaqësuesja e KLP-së gënjeu hapur. Minimalisht, ju duhet t’u tërhiqni vëmendjen institucioneve shtetërore. Kemi arritur në ditën kur përfaqësuesja e një institucioni të lartë të drejtësisë gënjen hapur. Për diplomën me pesa të të akuzuarit, unë jam sot 500 ditë larguar nga detyra. Nuk po flas më për veten time, sepse nuk kërkoj mëshirë nga askush.
Nëse KLP thotë se kemi bërë prokuror noterin me 5-a që shkatërroi jetën e një njeriu, kush e përfaqëson tani KLP-në?”, tha Veliaj.
Ndërsa avokati Plarent Ndreca, theksoi se përfaqësuesja e Këshillit nuk e ka tagrin të përfaqësojë institucionin pasi KLP nuk është mbledhur të marrë vendim.
Në seancën u diskutua një element i ri që lidhet me të kaluarën profesionale të prokurorit Dado.
Gjatë seancës u bë me dije se Dado ka qenë pjesë e hetimeve për ngjarjet e 21 janarit 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku humbën jetën katër protestues. Sipas pretendimeve të paraqitura në seancë, ky hetim është vlerësuar më pas me mangësi nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.
Duke iu referuar këtij fakti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se ka një arsye shtesë për të qenë palë në procesin që kundërshton emërimin e prokurorit Dado.
“U përmend një vendim i GJEDNJ-së, të Strasburgut, për ’21 janarin’, ku prokuror i ’21 janarit’ ishte Ols Dado. Strasburgu e vlerësoi hetimin për ’21 janarin’ një hetim të metë. Strasburgu tha, ‘ky është një hetim i metë, këtu ka ndërhyrje në hetim’”, deklaroi Veliaj gjatë fjalës së tij në seancë.
Ai shtoi se, sipas tij, ky fakt forcon legjitimitetin e palëve që kanë ngritur padinë kundër emërimit të prokurorit. Veliaj argumentoi gjithashtu se ka interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje si individ, si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si drejtues politik i Partisë Socialiste për Tiranën.
“Unë paskam edhe një arsye tjetër për të qenë në këtë proces sepse prokurori i ’21 janarit’, hetimet e të cilit i rrëzoi Strasburgu, ishte ai që hetoi vrasjen e 4 socialistëve”, u shpreh Veliaj.
Çështja për pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados po shqyrtohet në Gjykatën Administrative pas padisë së paraqitur nga Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”. Procesi vijon ndërsa gjykata pritet të vlerësojë pretendimet dhe provat e paraqitura nga palët.
Padia e Veliajt
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj depozitoi më 23 janar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.
Sipas padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.

Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.

“Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret në kundërshtim të hapur me dispozitat urdhëruese procedurale të ligjit nr. 8737, duke realizuar një emërim pa bazë ligjore dhe në mungesë të kompetencës materiale ratione personae për të emëruar një subjekt që nuk përmbushte kriteret e ligjit. Ky fakt përbën një shkelje flagrante të rendit juridik dhe një rast tipik të pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, në kuptim të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi: (i) akti është nxjerrë në kundërshtim flagrant me normat urdhëruese të ligjit; (ii) personi i emëruar nuk plotësonte kushtet e përgjithshme dhe të posaçme ligjore; dhe (iii) organi publik ka ushtruar kompetencën e tij për emërim në shkelje të kushteve procedurale të vlefshmërisë së aktit, duke e bërë dekretin juridikisht të paefektshëm dhe nul”, thuhet në kërkesë padi.

Lini një Përgjigje