
Një tren që udhëtonte nga Corby drejt Londrës u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër që vinte nga Nottinghami dhe po lëvizte në të njëjtën linjë drejt stacionit St Pancras. Aksidenti ndodhi rreth orës 17:00 të së premtes, në jug të nyjës Elstow, pranë Bedfordit.
Përplasja shkaktoi daljen nga shinat të paktën të një vagoni. Si pasojë, humbi jetën drejtuesi i njërit prej trenave.
Sipas të dhënave të përditësuara nga Shërbimi i Ambulancës së Anglisë Lindore, 11 persona pësuan lëndime shumë të rënda, 32 të tjerë u plagosën rëndë, ndërsa 56 persona morën lëndime më të lehta. Në total, numri i të plagosurve arriti në 99.

Shefja e Policisë Britanike të Transportit, Lucy D’Orsi, deklaroi se mbi 80 persona morën trajtim spitalor gjatë natës. Aktualisht, 28 persona vazhdojnë të jenë të shtruar në spital, ndërsa nëntë prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Dëshmitarët përshkruan skena kaotike menjëherë pas aksidentit. Një pasagjer, mjeku Pete Knapp, tha se pa persona me plagë kërcënuese për jetën, ndërsa shumë udhëtarë ishin të frikësuar dhe të tronditur.
Ekipet e emergjencës, përfshirë helikopterët e ambulancës ajrore, ndërhynë menjëherë në vendngjarje. Spitalet Bedford dhe Luton & Dunstable u kërkuan qytetarëve të shmangnin paraqitjen në urgjencë, përveç rasteve të emergjencave reale, për të përballuar fluksin e të lënduarve.
Aksidenti përfshiu dy trena të kompanisë East Midlands Railway. Sipas të dhënave paraprake, një tren i tipit Class 360, në përdorim prej më shumë se dy dekadash, goditi nga pas një tren më të ri të tipit Class 810, i cili kishte hyrë në shërbim vetëm në fund të vitit të kaluar.
Sekretarja britanike e Transportit, Heidi Alexander, deklaroi se do të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Ndërkohë, kryeministri Keir Starmer e cilësoi ngjarjen si "jashtëzakonisht shqetësuese" dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar për arsyen e përplasjes, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Lini një Përgjigje