Në foltoren e ngritur para Kryeministrisë, në protestën e 21-të kundër qeverisë, një qytetar i ardhur nga Kukësi ka mbajtur një fjalim të fortë kundër klasës politike shqiptare, duke thënë se vendi ndodhet në një moment historik.
“Vij nga Kukësi. Ky është një moment shumë historik dhe ne jemi mbledhur këtu për fatin e një kombi dhe drejtimin që do të marrë”, tha ai.
Sipas tij, shqiptarët sot ndodhen përballë dy rrugëve: asaj ku politika kërkon t’i mbajë prej vitesh dhe rrugës së lirisë.
“Jemi në udhëkryq. Njëra rrugë është ajo ku duan të na mbajnë, tjetra është rruga e lirisë dhe begatisë. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, këta munden vetëm ta vonojnë largimin”, u shpreh protestuesi.
Ai tha se prej 35 vitesh shqiptarët janë përballur me premtime të pambajtura, dobësim institucionesh dhe largim masiv të të rinjve nga vendi.
“Prej 35 vitesh kemi pasur vetëm premtime, institucionet janë dobësuar, bijtë tanë janë larguar me dhunë. Miliona janë larguar jashtë”, tha ai.
Në fjalën e tij, protestuesi theksoi se kërkesa për drejtësi nuk është thjesht thirrje për burg, por për përgjegjësi politike dhe morale.
“Që demokracia të vijë duhet edhe drejtësi, prandaj ne thërrasim ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Burgu nuk është mesazhi, mesazhi është mbajtja e përgjegjësisë, sepse na kanë vjedhur jetën, jo vetëm pasurinë”, deklaroi ai.
Në fund, ai iu drejtua edhe intelektualëve, duke i ftuar të bëhen pjesë e protestës.
“Kam një thirrje për intelektualët: nëse nuk ngriheni për këtë çështje, kur?”, përmbylli protestuesi fjalën e tij.
Lini një Përgjigje