TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2026, 21:13

Protestuesja nga diaspora: Deputetët nuk meritojnë vezë e miell, por mbeturina

Shkruar nga Pamfleti
Protestuesja nga diaspora: Deputetët nuk meritojnë vezë e miell,
Pamje nga protesta

Teksa protesta ka hyrë në ditën e 33-të dhe vijon para godinës së Kryeministrisë, një protestuese e ardhur nga diaspora shqiptare në Itali ka mbajtur një fjalim të ashpër, duke dënuar klasën politike dhe dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve gjatë protestës së paradites.

Ajo deklaroi se deputetët nuk meritojnë të goditen me vezë apo miell, por me mbeturina, ndërsa u ndal edhe te rasti i një protestuesi që, sipas saj, ishte dhunuar ndërsa kishte pranë djalin e tij me aftësi të kufizuara.

"Jam nga diaspora e Italisë. Mos e quani zoti Kryeministër, unë nuk e votova sepse nuk mund të jetë kryeministri im. Mos harxhoni vezët dhe miellin, është gjynah të harxhosh ushqimin, sepse ka mbeturina plot që mund t'ua hedhim," deklaroi protestuesja.

Në vijim të fjalës së saj, ajo tha se si mësuese e fëmijëve me aftësi ndryshe në Itali u prek nga mënyra se si, sipas saj, u trajtua një protestues që kishte me vete djalin me aftësi të kufizuara.

"Sot është 2 Korriku i Ambasadave. Jam mësuese për nxënësit me aftësi ndryshe në Itali. Fëmija i zotërisë nuk kishte një karrocë të denjë dhe kur e pashë sot që dhunohej, nuk kam fjalë. Ky ishte reagimi që prisja prej jush, të mbushim sa më shumë sheshet. Duhet të jemi dëshmitarë të ndryshimit. Kulmi i së keqes është hiçi", u shpreh ajo.

Në fund, protestuesja u bëri thirrje shqiptarëve, veçanërisht bashkatdhetarëve që ndodhen jashtë vendit, t'u bashkohen protestave në ditët në vijim.

"Më 4 korrik shumë nga bashkatdhetarët do të jenë këtu. Qoftë edhe për një orë, dilni këtu", apeloi ajo.

protesta

Lini një Përgjigje