TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Qershor 2026, 13:40

Nga Obama te Trump: Si u fik në Hormuz “Shekulli Amerikan”

Shkruar nga DOMENICO QUIRICO
Nga Obama te Trump: Si u fik në Hormuz “Shekulli Amerikan”
Obama dhe Trump /

Nga iluzionet e Obamës te pragmatizmi i vrazhdë i Trumpit, dritat e “Shekullit Amerikan” po fiken në ujërat e Hormuzit. Një nënshkrim dixhitale në sallonet e Versajës zhvesh lakuriq gjeopolitikën e re: aty ku dikur sundonin rregullat, sot sundon kaosi i dronëve dhe diplomacia e të dobëtit...

Kanë kaluar pak më shumë se dhjetë vite mes dy “paqeve persiane”. Një grimë kohe, pothuajse asgjë. E megjithatë kujtesa - ky regjisor kaotik e delirant - po na shfaq një film absurd, ku skenat nuk lidhen fare me njëra-tjetrën.

Zëri i Obamës, i Trumpit dhe i iranianëve vjen jashtë sinkronit. Kuadro të tëra janë në errësirë. Herë pas here ekrani bëhet krejt i zi. Shumica e aktorëve nuk njihen më: disa kanë rënë nga pushteti, të tjerë, si lideri suprem Khamenei, kanë vdekur. Ose më saktë, janë “asgjësuar”.

E megjithatë, kjo marrëveshje (ndoshta jemi pjekur mjaftueshëm sa të mos e përdorim më fjalën e madhe “paqe”) u arrit midis protagonistëve të njëjtë: Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të Ajatollahëve dhe Pasdaranëve.

Por ky duel mes Uashingtonit dhe Teheranit, është një shekull i ngjeshur në vetëm 11 vite. Ai sjell me vete diçka shumë më të madhe sesa thjesht rihapja e ngushticës së Hormuzit apo ulja me disa qindarka e çmimit të benzinës: është një zhgënjim i hidhur, një përmbysje e egër, një krijesë e rrezikshme.

Mbi të gjitha, është zhveshja e menjëhershme dhe përvëluese - pa asnjë mundësi për ta fshehur më - e realitetit të sotëm global, pasi u mbulua dhe u tjetërsua që nga fillimi i shekullit.

Le të ndalemi te ky nënshkrim dixhital mes “demokracisë së lumturisë” e egërsisë me “të drejtë hyjnore”: Trumpi që hedh firmën shpërfillshëm mes pjatave të një banketi, në sallonet e Versajës - një monument i dekadencës pompoze - nën buzëqeshjet poshtëruese e të poshtëruara të shërbëtorëve evropianë, që nuk kanë guxim as të rebelohen...

Çfarë kthese dramatike! Ajo që fshihej në prapaskenë doli në dritë, çatitë u shembën dhe gjeopolitika mbeti lakuriq. Kjo është një mundësi e artë për këdo që përpiqet, qoftë edhe verbërisht, të deshifrojë rrugët e reja të këtij shekulli.

Këtu nuk ka thjesht dritë mbi një pirg gënjeshtrash. Përkundrazi, po shohim lëvizjen që rikthehet në një histori, e cila supozohej se kishte ngecur përjetësisht në menteshat e veta, çelësi i të cilave kishte humbur.

Thënë thjesht: ajo marrëveshje e mundimshme që Obama arriti me Iranin në vitin 2015 - që kufizonte programin bërthamor ushtarak nën monitorimin e rreptë të IAEA-s - këtë vit është thjesht e pamundur. Kur e krahasojnë këtë me dorëzimin e Trumpit, Obama dhe New York Times po vajtojnë një kufomë.

Sepse koha dhe bota që e lindën atë marrëveshje nuk existojnë më. Doni një provë? Në vitin 2015, pakti u nënshkrua dhe duhej të garantohej nga grupi “Pesë plus Një”: përveç SHBA-së, ishin Kina, Rusia (Putini sapo kishte gllabëruar Krimenë me një lëvizje mjeshtërore, por me sa duket atëherë nuk konsiderohej ende si një kriminel i pafrekuentueshëm, gjë që gjithashtu meriton reflektim), Franca, Britania e Madhe dhe ai “plusi”, Bashkimi Evropian.

Atëherë evropianët peshonin diçka. Në horizontin e palëkundur të botës amerikane dhe të globalizimit të epokës Clinton, Evropa kishte një rol. Sot ajo është një zero me xhufkë.

Me dëshirat e saj që i sheh përgjumësh dhe ambiciet e bëra pluhur, Evropa është e parëndësishme për luftën dhe e pavlerë për paqen. Ajo thjesht duhet të lutet me përulësi që ta thërrasin për të pastruar minat e mbetura në kanalin e Hormuzit. Një argate gjeopolitike, një krah pune i rëndomtë që mund të zëvendësohet lehtësisht.

A mud ta imagjinoni sot, njëmbëdhjetë vjet më vonë, një Federica Mogherini-n (atëherë Shefe e Politikës së Jashtme), të mbështjellë me mëndafshe të bardha e politikisht korrekte, të shkojë në Teheran dhe që Lideri Suprem të harxhojë qoftë edhe 5 minuta nga koha e tij teologjike për të?

Ambiciet tona si evropianë janë bërë tejet të ndrydhura, ashtu si edhe frikërat tona. Dhe ja, me një firmë dixhitale çdo gjë mori fund. Kjo fantazi madhështore e pushtetit amerikan, që deri para pak ditësh na dukej e patundur si piramidat, u tkurr sërish, u zvogëlua dhe u zhduk. Miti i paprekshmërisë ishte mburoja e tyre e vetme ndaj greminës. Thjesht stofra dhe letër. Brenda një sekonde, pa u lodhur fare për të shkuar në Gjenevë, e palosin, e hedhin në tavan dhe e harrojnë. Tashmë kjo është punë për historianët, që të peshojnë me kandarët e tyre dhe me mençurinë e atij që e sheh historinë mbrapsht.

Obama mund të aktronte ende sikur asgjë s’kishte ndryshuar, sikur shekulli i XX po zgjatej artificialisht. E megjithatë, ai realitet - Amerika perandorake - fashitej me çdo fjalë që ai thoshte. Pas luftërave të paqarta ndaj terrorizmit, historia po ziente nga një lëngatë e re.

Një botë në shkrirje e sipër po shpërtente përmes tensioneve të dhunshme, me të cilat paralajmëronte epokën e re. Më pas, në vitin 2021, të shtangur e të habitur, pamë Amerikën të përjetonte ferrin në Kabul, duke paguar shtrenjtë çmimin e jetëgjatësisë së saj të rreme si e vetmja superfuqi në botë.

Trumpi nuk është shkaku i humbjes në Hormuz. Ai është thjesht pasoja e rënies amerikane. Ai vetëm sa po e menaxhon këtë rënie duke e mohuar. Rezultati? Një rrugë pa krye plot humbje orientimi, një lumë gabimesh dhe sjellje jashtë mode.

Trump përpiqet ta fshehë pafuqinë e tij - e cila shfaqet si një shfrim shkatërrues dhe i kotë – përmes gënjeshtrave dhe një arrogance boshe, duke u vetëshpallur si “zbutësi i humnerës”. Kapet pas momentit, zhytet te më e mundshmja.

I shet tërheqjet si lëvizje strategjike. Mekanizmi i tij duket sikur mban, por vetëm sepse thyhet dhe rindërtohet vazhdimisht. Madje edhe Izraeli, aleati dhe bashkëfajtori i domosdoshëm prej 80 vitesh, nuk i bindet më.

Rrudhat e një kombi kaq të madh dhe vendimtar janë tashmë po aq të dukshme sa ato në fytyrën e një njeriu. Në të kaluarën, fuqia globale amerikane mbështetej te bombarduesit dhe aeroplanmbajtëset që kontrollonin hapësirën dhe kohën, me qëllim që të frikësonin dhe të parandalonin.

Por në epokën e dronëve të lirë dhe të arkitektëve të kaosit - të cilët janë gjithmonë në pritje për të pushtuar hapësirat e zbrazëta, që nuk i ikin rrezikut por e provokojnë atë, dhe që i jepen pa asnjë skrupull apo pendesë rrënimit të epokës së rregullave dhe të drejtave (që shpesh, mjerisht, ishin vetëm tonat) - këto armë nuk mjaftojnë më.

Irani, i cili në historinë e tij moderne ka kaluar periudha të gjata sovraniteti të kufizuar e protektorati, dhe që është stërvitur me diplomacinë e “të dobëtit kundër të fortit”, tregoi sesi mund të lihet në hije një superfuqi, duke e detyruar të dorëzohet para kufizimeve të veta dhe duke i dobësuar zonat e saj të ndikimit./Pamfleti nga “La Stampa”

obama trump shekulli amerikan hormuzi

Lini një Përgjigje