Gjatë marshimit rreth Kryeministrisë është dëgjuar thirrja “Ta heqim qelbësirën”, e artikuluar nga një pjesë e pjesëmarrësve kundër kreut të qeverisë.
Protesta e 21-të kundër qeverisë ka hyrë në një tjetër fazë mbrëmjen e kësaj të shtune, teksa mijëra qytetarë kanë nisur marshimin rreth godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, pjesëmarrësit kanë rrethuar simbolikisht godinën e qeverisë, duke e konsideruar këtë si një akt presioni ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij.
Gjatë marshimit janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si “Edi Rama je i rrethuar, jep dorëheqjen”, ndërsa protestuesit kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të kreut të qeverisë.
“Kryeministria është rrethuar. Në këtë moment i themi kryeministrit: je i rrethuar. Jep dorëheqjen”, u deklarua nga organizatorët gjatë marshimit.
Protesta është shoqëruar edhe me slogane të tjera kundër figurave kryesore politike në vend. “Hetoni Ramën”, “Rama në burg” dhe “Berisha në burg” ishin ndër thirrjet më të forta që u dëgjuan përgjatë lëvizjes së protestuesve rreth godinës së qeverisë.
Ndërkohë, një pjesë e protestuesve kanë deklaruar se nuk do të largohen pas përfundimit të marshimit. Ata kanë paralajmëruar se do ta kalojnë natën në shesh, përpara Kryeministrisë, në shenjë qëndrese dhe presioni ndaj qeverisë.
Lini një Përgjigje