Milani po vazhdon punën për kompletimin e strukturës drejtuese sportive dhe emri më i fundit që ka hyrë në listën e kandidatëve për postin e drejtorit sportiv është ai i Domeniko Tetit.
Sipas gazetarit të njohur italian Xhanluka Di Marcio, profili i 48-vjeçarit po vlerësohet nga pronari i klubit, Xherri Kardinale, dhe Zlatan Ibrahimoviç, të cilët po udhëheqin procesin e riorganizimit të sektorit sportiv të Milanit.
Teti gëzon një përvojë të konsiderueshme në futbollin europian. Gjatë karrierës së tij ai ka mbajtur role drejtuese te Ullverhempton në Angli, si dhe te APOEL Nikosia, Sampdoria, Novara dhe Verona. Më herët, ai ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit sportiv te klubi saudit Al-Shabab.
Megjithatë, Domeniko Teti nuk është kandidati i vetëm që po shqyrtohet nga drejtuesit kuqezinj. Në listën e emrave të mundshëm vazhdojnë të jenë edhe Markus Kroshe dhe Ozbek, ndërsa një tjetër alternativë mbetet promovimi i një figure nga brenda klubit.

Në këtë skenar, Milani mund t’ia besojë detyrën Jovan Kirovskit, aktualisht drejtor dhe përgjegjës i projektit “Milan Futuro”, që konsiderohet një nga figurat kyçe në zhvillimin e talenteve të reja të klubit.
Ndërkohë, edhe pse posti i drejtorit sportiv nuk është zyrtarizuar ende, trajneri Ruben Amorim ka nisur të japë sinjalet e para për strategjinë e merkatos. Prioriteti kryesor i teknikut portugez është afrimi i një sulmuesi qendre që përshtatet me skemën e tij të preferuar 3-4-2-1.
Në krye të listës së dëshirave të Amorimit raportohet se qëndron sulmuesi portugez Gonçalo Ramos, i cili shihet si profili ideal për të udhëhequr repartin ofensiv të Milanit në sezonin e ardhshëm.
Lini një Përgjigje