Ish-drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka dhënë intervistën e tij të parë për mediat italiane pas largimit nga klubi kuqezi. Në një prononcim për “SportMediaset”, Tare ka folur për Masimiliano Allegrin, të ardhmen e Milanit, Rafael Leaon dhe perspektivën e përfaqësueses italiane.
Tare u shpreh se aktualisht po shijon kohën me familjen, pas përfundimit të eksperiencës së tij te Milani.
Duke komentuar emërimin e Alegrit te Napoli, ai e cilësoi këtë si një vendim të duhur dhe në përputhje me objektivat e klubit napolitan.
“Alegri është një trajner i nivelit më të lartë. Zgjedhja e Napolit ishte e mençur dhe në përputhje me ambiciet që klubi ka dhe duhet të vazhdojë të ketë për sezonin e ardhshëm. Unë dhe Maks flasim shpesh. Çdo dy ose tre ditë telefonojmë njëri-tjetrin. Kemi bërë edhe ndonjë gabim, por Alegri është një trajner që ka bërë shumë mirë në historinë e futbollit italian dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, deklaroi Tare.
Sa i përket Milanit, ish-drejtori sportiv shprehu dëshirën që klubi të gjejë stabilitet dhe të ndërtojë një projekt afatgjatë.
Ai komentoi edhe situatën e Rafael Leaos, duke lënë të kuptohet se dëshira e lojtarit për sfida të reja mund të sinjalizojë fundin e një cikli.
“Nuk e di nëse është mirë apo keq që ai dëshiron përvoja të reja, por kur një lojtar ka këtë dëshirë, do të thotë se marrëdhënia ka arritur në fund dhe se një cikël është mbyllur. Cilësitë e tij janë të padiskutueshme. Ai duhet vetëm të gjejë vazhdimësi gjatë ndeshjeve, sepse është një lojtar që mund t’i vendosë ato i vetëm”, tha Tare.
Në fund, ai u ndal te përfaqësuesja italiane, duke mbështetur idenë e një rinisjeje që bazohet te përvoja e Roberto Mançinit dhe tek aktivizimi i talenteve të rinj.
“Italia mund të riniset pa dyshim nga përvoja e Mançinit, trajnerit të fundit të kombëtares që ka fituar një trofe. Ky është momenti për të bërë zgjedhje të guximshme dhe për t’u besuar të rinjve. Ka lojtarë me perspektivë dhe rezultatet e ekipeve të moshave e tregojnë këtë. Duhet guxim, duhet t’u japësh besim dhe të dish të presësh për ta”, përfundoi Tare.
Lini një Përgjigje