
Me 48 kombëtare, 16 stadiume në tri vende të ndryshme dhe 104 ndeshje gjithsej, bëhet fjalë për një përvojë mbresëlënëse dhe të paharrueshme…
Kupa e Botës është tashmë realitet dhe mijëra njerëz po udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për të ndjekur nga afër spektaklin më të madh të futbollit. Me 48 kombëtare, 16 stadiume në tri vende të ndryshme dhe 104 ndeshje në total, flasim për një përvojë mbresëlënëse dhe të paharrueshme.
Turneu i këtij viti ka shënuar rekorde si në pjesëmarrje, ashtu edhe në çmime, duke u konsideruar si Kupa e Botës më e shtrenjtë e organizuar ndonjëherë. Me biletat që nisin nga 60 dollarë dhe arrijnë deri në 11.000 dollarë për finalen, stadiumet e mbushura plot tregojnë se sa shumë kanë shpenzuar tifozët, që nga udhëtimi e deri te ushqimi dhe pijet gjatë ditëve të ndeshjeve.
Por sa kushton në të vërtetë kjo përvojë?
BBC kontaktoi katër grupe tifozësh nga vende të ndryshme, të cilët udhëtuan drejt SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë për të ndjekur ngjarjen më të madhe futbollistike dhe për të mbështetur kombëtaret e tyre. Pyetja kryesore ishte: “Sa ju kushtoi ky udhëtim?”
Tifozët e zjarrtë kroatë
Katër burra nga Kroacia, besnikë të kombëtares së tyre, nuk kanë humbur asnjë ndeshje. Tashmë ata njihen edhe me vetë lojtarët. Prandaj, nuk mund ta humbnin pjesëmarrjen e Kroacisë në Kupën e Botës.
Grupi organizoi një udhëtim 35-ditor, gjatë të cilit do të vizitojë të tre vendet ku zhvillohen ndeshjet dhe, natyrisht, ka siguruar bileta për të ndjekur të gjitha paraqitjet e Kroacisë.

Siç treguan, arritën të siguronin biletat me 60 dollarë secila falë statusit të tifozëve të regjistruar, por refuzuan të japin detaje për shpenzimet e tjera.
Pak pas ceremonisë hapëse në Meksikë, për të cilën kishin rezervuar biletat një vit më parë pa e ditur ende se ku do të luante kombëtarja e tyre, tifozët u shprehën të entuziazmuar.
Ata përshkruan një atmosferë fantastike me muzikë, kulturë dhe futboll, brenda dhe jashtë stadiumit, “që e bënte ngjarjen të dukej shumë më e madhe se një ndeshje e zakonshme futbolli”.
Fluturimet e tjera i rezervuan pesë muaj më herët për të ndjekur Kroacinë, ndërsa planifikojnë të vizitojnë edhe zona të tjera të SHBA-së. U përpoqën të kursenin para duke zgjedhur vakte dhe hotele më të lira, por thanë se udhëtimi ia vlejti plotësisht.
Gazetari “vendas” dhe miqtë e fëmijërisë
Një gazetar sportiv 39-vjeçar dhe miqtë e tij të fëmijërisë nuk e humbën mundësinë për të ndjekur ndeshjet në vendin e tyre.
Sipas tyre, secili jetonte në një shtet të ndryshëm amerikan, ndaj udhëtuan me avion dhe u takuan në Los Anxhelos për të parë ndeshjen SHBA–Paraguai.
Madje, ata rezervuan vende premium, ndër më të shtrenjtat në stadium, me çmimin e një bilete që arrinte në 2.735 dollarë.

“Është shumë e shtrenjtë”, pranoi LoRé para ndeshjes. “Por është një mundësi që të vjen vetëm një herë në jetë, ndaj, edhe pse me pak ngurrim, po i japim FIFA-s shumë para për të qenë në këtë ndeshje.”
Ata kanë planifikuar të ndjekin edhe tri ndeshje të tjera, ndërsa buxheti total për udhëtimet dhe biletat arrin në rreth 10.000 dollarë. Gazetari tha se ndihet “i zhgënjyer” nga çmimet, pasi shumë njerëz përjashtohen nga mundësia për të ndjekur ngjarjen më të madhe të futbollit.
Ai shtoi se, për shkak të profesionit, mund të justifikojë një pjesë të shpenzimeve përmes taksave, por theksoi se: “futbolli i ka rrënjët si një sport i klasës punëtore. Tani është kthyer në një lojë miliardash dollarësh.”
Megjithatë, pavarësisht kostos, grupi tha se ka përjetuar një eksperiencë të jashtëzakonshme, nga aeroporti deri te radhët e gjata për kontrollin e sigurisë. Këngët e tifozëve, daullet dhe katër golat e kombëtares së tyre i bënë të harrojnë shumën që kishin shpenzuar.

Buxheti i kufizuar i skocezëve
Gjashtë miq dhe mbështetës të përkushtuar të Kombëtares së Skocisë arritën, me një dozë të madhe fati, të ndjekin ekipin e tyre, i cili ishte kualifikuar në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1998. Secili prej tyre shpenzoi rreth 1.200 dollarë, ndërsa 400 dollarë shkuan vetëm për biletat e ndeshjeve.
Ata rezervuan fluturimet për në Nju Jork duke përdorur pikë zbritjeje para se të mësonin se ku do të luante Skocia dhe arritën të gjenin edhe akomodim ekonomik. Më pas siguruan biletat për ndeshjen në Boston kundër Haitit, ku përshkruan një atmosferë elektrizuese mes tifozëve dhe stadiumin më të madh ku kishin parë ndonjëherë ekipin e tyre. Entuziazmi u shtua edhe më shumë pas fitores së Skocisë, megjithëse do të kishin dashur të shihnin më shumë gola. “Prisnim argëtim, mikpritje dhe emocione dhe i gjetëm të gjitha”, thanë ata.
Të sapomartuarit gjermanë
Çifti i ri nga Gjermania kishte planifikuar tashmë ta kalonte muajin e mjaltit në SHBA, pasi të dy janë adhurues të futbollit. Me bileta prej 180 dollarësh për ndeshjet dhe një kosto totale prej 1.500 dollarësh për pjesën tjetër të udhëtimit, ata organizuan një qëndrim prej 10 ditësh në SHBA dhe një javë në Meksikë.
Falë anëtarësimit në shoqatën e tifozëve të Federatës Gjermane të Futbollit, siguruan bileta relativisht të lira për ndeshjen Gjermani–Kurasao. Pavarësisht shqetësimeve për sigurinë, ata thanë se përvoja ishte e shkëlqyer, falë njerëzve, atmosferës dhe stadiumit.

Sipas tyre, edhe pse çmimet ishin të larta, madje edhe birra kushtonte më shumë se 19 dollarë, përvoja në tërësi rezultoi më e mirë nga sa kishin pritur. “Në një moment, shuma e saktë në dollarë nuk ka më rëndësi”, thanë ata. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje