Zbardhen detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku përtej diskutimeve për situatën politike dhe protestat, një nga shqetësimet kryesore të kryeministrit Edi Rama ka qenë ndikimi i qeverisë në rrjetet sociale.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama ka kërkuar nga deputetët dhe ministrat të shtojnë aktivitetin e tyre online dhe të promovojnë më shumë projektet, investimet dhe rezultatet e qeverisë.
Sipas tij, pavarësisht punës së bërë nga institucionet, përmbajtjet e qeverisë nuk po arrijnë të marrin vëmendjen e publikut në platformat sociale.
"Ne nxjerrim një punë dhe nuk merr algoritëm", mësohet të ketë thënë Rama gjatë mbledhjes, duke argumentuar se rrjetet sociale favorizojnë konfliktin, polemikat dhe lajmet negative, ndërsa projektet e qeverisë kalojnë pa shumë interes.
Mesazhi i tij për deputetët ka qenë që të mos mjaftohen me aktivitetin politik në terren, por të angazhohen më fort edhe në hapësirën digjitale, të cilën kryeministri e konsideron një front të rëndësishëm të betejës politike.
Në këtë kuadër, Rama ka ironizuar edhe deputetin socialist Erion Braçe, i njohur për postimet e tij të shpeshta mbi problematikat në terren.
"Nxjerr Erioni koshat e mbushur me mbeturina, por nuk nxjerr koshat e pastra", mësohet të ketë thënë kryeministri.
Braçe nuk ka mbetur pa përgjigje, duke argumentuar se denoncimet e tij lidhen me probleme që vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje.
"E bëj këtë gjë sepse nuk ka gjetur zgjidhje", ka qenë replika e deputetit socialist.
Diskutimi nxjerr në pah shqetësimin e drejtuesve të mazhorancës për ndikimin që rrjetet sociale po kanë në formësimin e opinionit publik, në një moment kur qeveria po përballet me protesta dhe debat të shtuar publik. Për Ramën, duket se beteja nuk zhvillohet vetëm në terren dhe në institucione, por gjithnjë e më shumë edhe në algoritmet e rrjeteve sociale.
Lini një Përgjigje