Pas rreth pesë orësh diskutimesh, ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama u ndal te zhvillimet e fundit politike, protestat dhe debati i krijuar pas largimit të deputetes Marjana Koçeku nga grupi socialist.
Pa e përmendur me emër Koçekun, Rama la të kuptohet se raste të ngjashme mund të ketë edhe në të ardhmen, duke deklaruar se “do na dalin shumë të tjerë anash, mbrapa, përballë”. Ai theksoi se Partia Socialiste nuk duhet të shqetësohet nga kritikat apo largimet individuale.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë gjithashtu spekulimet për një dorëheqje të mundshme të tij, duke thënë se nuk ka pasur asnjëherë në mendje një skenar të tillë dhe se mesazhet që ka marrë në këtë drejtim nuk qëndrojnë “as në qiell dhe as në tokë”.
Gjatë fjalës së tij, Rama kritikoi protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera, duke theksuar se mazhoranca nuk duhet të ndjekë rrugën e populizmit për të qenë e pëlqyer, por të marrë vendime që i konsideron të përgjegjshme për vendin dhe procesin e integrimit europian.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua edhe rrjeteve sociale dhe ndikimit të algoritmeve, për të cilat Rama tha se po krijojnë një realitet paralel ku shpifjet dhe të pavërtetat shpërndahen si fakte. Sipas tij, sulmet dhe kërcënimet online nuk do të ndikojnë në qëndrimet e qeverisë dhe të Partisë Socialiste.
Në përfundim, Rama përsëriti se objektivi kryesor i mazhorancës mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se kjo është rruga që, sipas tij, nuk duhet të devijohet nga zhurmat politike të momentit.
Lini një Përgjigje