Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, ku ky i fundit mohoi të kishte qenë ndonjëherë në Aruba dhe i cilësoi si produkte të “algoritmit” akuzat e ngritura ndaj tij.
Bardhi ka publikuar një pjesë të dosjes së SPAK-ut, ku shkruan se të dhënat për takime të zhvilluara në Aruba nuk burojnë nga rrjetet sociale, por nga përgjime të autoriteteve ligjzbatuese belge.
Sipas Bardhit, në materialet e përfshira në dosje përmenden takime të personave nën hetim në vende të ndryshme, përfshirë Arubën, si dhe kontakte me funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë. Deputeti demokrat shprehet se këto takime lidhen me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, të cilat mund të jenë financuar me fonde të paligjshme.
“Fatkeqësia e Edi Ramës në këtë rast është se provat nuk janë algoritëm, por realitet”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Edi Rama ka deklaruar sot se: “Ndërkohë Aruba është bërë e vërtetë. Është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit. Siç është bërë e vërtetë që unë jam konsumator kokaine.”
"Në fakt, 'Aruba' është një e vërtetë që ulëret dhe që Edi Rama nuk e fsheh dot me batuta!"
Të dhënat e dosjes së SPAK-ut nuk janë marrë nga fusha e algoritmit, por nga përgjimet zyrtare të autoriteteve ligjzbatuese belge!
Sipas SPAK-ut, nga këto përgjime ka rezultuar se: “Nga përmbledhja e dërguar nga autoritetet belge mësohen të dhëna të rëndësishme mbi takime dhe njohje ndërmjet personave nën hetim, takime këto të zhvilluara në Majorka, Gjermani, Aruba apo Belgjikë; të dhëna mbi takime të kryera nga ana e tyre me përfaqësues, funksionarë të lartë shtetërorë të shtetit shqiptar në Aruba. Përmendim këtu takimet e vëzhguara në janar-shkurt 2019. Sipas provave të pjesshme të paraqitura, këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike.”
Fatkeqësia e Edi Ramës në këtë rast është se provat nuk janë algoritëm, por realitet! Sa do të përdridhet, ato janë aty: me video dhe foto!
Kriminalizimi i ekonomisë dhe shndërrimi i Shqipërisë në parajsën e pastrimit të parave të drogës janë vepër e tij. Herët a vonë do të mbajë përgjegjësi për këtë.

Lini një Përgjigje