Ish-kapiteni legjendar i Mançester Junajtid, Roi Kin, ka shkaktuar reagime të shumta gjatë Kampionatit Botëror me deklaratat e tij të drejtpërdrejta dhe pa filtra.
Analisti i njohur televiziv këtë herë ka vënë në qendër të kritikave të ashtuquajturat “WAGs” – bashkëshortet dhe partneret e futbollistëve – të cilat ndjekin ndeshjet nga tribunat. Kin ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj trendit të përhapur ku partneret e lojtarëve veshin fanellat e kombëtares me emrin e bashkëshortit ose të partnerit në shpinë.
Gjatë një debati në studio për atmosferën e Botërorit, irlandezi e cilësoi këtë praktikë si të panevojshme, duke deklaruar:
“Për fëmijët është në rregull, por që bashkëshortet dhe partneret të veshin fanellat e tyre? Uau. Një vit më vonë, shumica prej tyre janë të ndarë. E dimë mirë se me kë jeni të martuara.”
Deklarata e Kin është përhapur me shpejtësi në mediat ndërkombëtare dhe në rrjetet sociale, ku ka nxitur diskutime të shumta. Një pjesë e komentuesve kanë mbështetur qëndrimin e tij, duke e konsideruar si një vlerësim realist të situatës, ndërsa të tjerë kanë argumentuar se veshja e fanellës së partnerit përfaqëson një shenjë dashurie, krenarie dhe mbështetjeje për futbollistët në fushë.
Komentet e ish-mesfushorit të Mançester Junajtid vazhdojnë të ndajnë opinionin publik, duke rikthyer edhe një herë në vëmendje stilin e tij karakteristik dhe shpeshherë kontrovers në analizat sportive.
Lini një Përgjigje