TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Qershor 2026, 15:43

Ka drejtuar në Premier Ligë, kombëtaren e Kroacisë dhe ish-ekipin e Ernest Muçit; njihuni me trajnerin e ri të Tiranës

Shkruar nga Pamfleti
Ka drejtuar në Premier Ligë, kombëtaren e Kroacisë dhe
Trajneri i ri i Tiranës, Dean Klafuriç

Tirana ka zgjedhur kroatin Dean Klafuriç si trajnerin e ri të skuadrës, duke i besuar drejtimin e ekipit një emri me përvojë të gjerë në futbollin europian. 53-vjeçari pritet të zëvendësojë Orges Shehin, i cili së fundmi mori drejtimin e Prishtinës.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se marrëveshja me teknikun kroat është arritur, ndërsa drejtuesit bardheblu shpresojnë që përvoja dhe rezultatet e tij në arenën ndërkombëtare të ndihmojnë në rikthimin e Tiranës në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.

Klafuriç ka ndërtuar një karrierë të pasur në disa vende europiane, duke drejtuar skuadra në Kroaci, Poloni, Bosnjë-Hercegovinë, Hungari, Serbi dhe Qipro. Një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij erdhi në Poloni, ku me Legian e Varshavës, ish-ekipin e Ernest Muçit arriti të fitojë titullin kampion dhe Kupën e Polonisë, duke realizuar një sezon mbresëlënës me klubin e njohur polak.

I lindur më 26 korrik 1972 në Zagreb, Klafuriç zotëron licencën UEFA Pro dhe njihet si një trajner me aftësi të mira organizative dhe menaxhuese. Gjatë karrierës së tij ka qenë i angazhuar edhe në zhvillimin e talenteve te akademia e Dinamos së Zagrebit, ndërsa mes viteve 2009 dhe 2012 drejtoi kombëtaren e vajzave të Kroacisë.

Pas eksperiencës së suksesshme në Poloni, ai ka drejtuar disa skuadra të njohura të rajonit, mes tyre Velezh Mostar, Budapest Honved, TSC Baçka Topola, Slaven Belupo dhe Ethnikos Aknas. Angazhimi i tij i fundit ishte te NK Shiroki Brijeg në Premier Ligën e Bosnjë-Hercegovinës, ku mbajti edhe detyrën e drejtorit sportiv, duke fituar eksperiencë të vlefshme në ndërtimin dhe menaxhimin e skuadrës.

Sa i përket filozofisë së lojës, Klafuriç preferon skemën 4-2-3-1, një sistem që synon ekuilibrin mes mbrojtjes dhe sulmit. Ai njihet si një trajner që kërkon disiplinë taktike, intensitet të lartë dhe angazhim maksimal nga futbollistët e tij.

Emërimi i tij në krye të Tiranës konsiderohet si fillimi i një projekti të ri për klubin kryeqytetas. Drejtuesit bardheblu synojnë ndërtimin e një skuadre konkurruese, të aftë për të luftuar për titullin kampion dhe për të përfaqësuar denjësisht futbollin shqiptar në kompeticionet europiane.

dean klafuriç trajneri i ri i tiranës

Lini një Përgjigje