TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Maj 2026, 11:10

Hansi Flick thyen një rekord 93-vjeçar me Barcelonën ndaj Real Madridit

Shkruar nga Pamfleti
Hansi Flick thyen një rekord 93-vjeçar me Barcelonën ndaj Real
Hansi Flick

Trajneri gjerman falënderoi skuadrën dhe tifozët pas triumfit ndaj Real Madridit, vetëm pak orë pasi humbi të atin

Barcelona siguroi titullin kampion në La Liga pas fitores 2:0 ndaj Real Madridit në El Clásico, në një mbrëmje historike për klubin katalanas dhe trajnerin Hansi Flick.

Në “Camp Nou”, tifozët brohorisnin vazhdimisht emrin e teknikut gjerman, ndërsa lojtarët e Barcelonës festuan me entuziazëm suksesin që vulosi matematikisht titullin kampion. Ishte hera e parë që Barcelona siguronte titullin pikërisht në një përballje direkte me Real Madridin. Më herët, vetëm madrilenët kishin arritur një sukses të tillë, në vitin 1932.

Fitorja u arrit falë golave të Marcus Rashford në minutën e 9-të dhe Ferran Torres në të 18-ën. Barcelona kryeson me 91 pikë dhe, edhe pse kanë mbetur edhe tre javë kampionat, nuk mund të kapet më nga rivalët. Real Madridi mbetet në vendin e dytë me 77 pikë.

Për Hansi Flick, triumfi kishte edhe një dimension të fortë emocional. Vetëm disa orë para ndeshjes, Barcelona njoftoi se trajneri kishte humbur të atin.

“Ka qenë një ditë e vështirë për mua. Babai im ka ndërruar jetë”, deklaroi Flick pas ndeshjes, duke shtuar “skuadra ime është fantastike, e dua këtë grup. Është si një familje. Sot dhanë gjithçka dhe jam vërtet krenar.”

Trajneri falënderoi gjithashtu tifozët për mbështetjen: “është e jashtëzakonshme ta fitosh titullin në këtë stadium dhe në një El Clásico kundër Real Madridit.”

Klubi katalanas publikoi edhe një mesazh ngushëllimi në rrjetin X: “FC Barcelona dhe e gjithë familja blaugrana i shprehin ngushëllimet Hansi Flick për ndarjen nga jeta të babait të tij. Ndajmë dhimbjen me ty dhe familjen tënde në këtë moment të vështirë.”

Para fillimit të takimit, të dy skuadrat zbritën në fushë me shirita zie në krah, ndërsa në stadium u mbajt një minutë heshtje në nder të babait të trajnerit gjerman.

Ky është titulli i 29-të kampion në historinë e Barcelonës dhe i katërti në karrierën e Flick në kampionatet kombëtare. Ai kishte fituar më parë Bundesligën me Bayern Munich në vitet 2020 dhe 2021, ndërsa tani ka udhëhequr Barcelonën drejt dy titujve radhazi në Spanjë.

 

barca la liga flick

Lini një Përgjigje