Akuzat lidhen me shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh dhe një dëm ekonomik të dyshuar prej rreth 590 milionë lekësh…
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020 ndaj 12 personave, mes tyre kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), punonjës të Bashkisë Kolonjë dhe përfaqësues të një shoqërie private.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë “Shpërdorimin e detyrës”, “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Falsifikimin e dokumenteve”.
Një nga episodet kryesore të hetimit lidhet me procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë), me fond limit rreth 2.88 miliardë lekë. Sipas SPAK, Bashkia Kolonjë ka paraqitur si projekt të saj një dokumentacion që në fakt nuk ekzistonte, ndërsa hetimet kanë zbuluar se procesverbali i marrjes në dorëzim të projektit është falsifikuar.
Prokuroria pretendon se punonjës të Bashkisë Kolonjë, në bashkëpunim me administratoren e kompanisë “A&E Engineering” sh.p.k., kanë falsifikuar dokumentacionin përkatës për të krijuar përshtypjen se projekti ishte dorëzuar dhe administruar nga bashkia.
Sipas hetimeve, zyrtarë të ARRSH-së nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për përcaktimin e fondit limit të projektit. SPAK pretendon se preventivi dhe të dhënat mbi të cilat u llogarit fondi janë bazuar në materiale të paraqitura nga vetë administratorja e kompanisë që më pas përfitoi kontratën e mbikëqyrjes së punimeve.
Nga ekspertimet teknike dhe financiare ka rezultuar se fondi limit i procedurës është fryrë me rreth 590.2 milionë lekë, vlerë që sipas organit të akuzës përbën dëm ekonomik për shtetin.
Një tjetër procedurë nën hetim është tenderi për supervizimin e punimeve të rrugës Korçë–Ersekë, me fond limit mbi 22.7 milionë lekë. SPAK pretendon se anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për kompaninë “A&E Engineering” sh.p.k.
Një pjesë tjetër e dosjes lidhet me procedurën e prokurimit për mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit të ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave përreth, me fond limit mbi 4.6 milionë lekë. Sipas SPAK, anëtarë të komisioneve përgjegjëse dhe drejtues të Bashkisë Kolonjë kanë hartuar fondin limit dhe specifikimet teknike në kundërshtim me ligjin, me qëllim favorizimin e kompanisë fituese.
Hetimet pretendojnë se përllogaritjet janë mbështetur në oferta fiktive dhe se një pjesë e dokumentacionit teknik është përgatitur nga vetë kompania që më pas fitoi procedurën e prokurimit. Po ashtu, sipas SPAK, kriteret e tenderit janë përcaktuar në mënyrë të tillë që të favorizonin të njëjtën shoqëri.
Mes personave të dërguar për gjykim janë kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, ish-zëvendëskryetarja Eljona Mydini, ish-drejtori i ARRSH-së Ergys Verdho, si dhe disa ish-zyrtarë e punonjës të ARRSH-së dhe Bashkisë Kolonjë. Në listën e të pandehurve përfshihet edhe administratorja e kompanisë “A&E Engineering” sh.p.k., Entela Çano.
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:
Erion Isai, me detyrën e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 248 e 25, 258 e 25 të Kodit Penal;
Eljona Mydini, ish zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Ergys Verdho, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Erald Elezi, ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Genti Raça, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të preventivit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Donikë Shehu, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Klarita Konomi, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;
Nikollaq Mihali, me detyrën e specialistit të nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor shqiptar, e akuzuar akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;
Erdit Salillari, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të hartimit të projekteve të huaja pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;
Erjon Cenko, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, punonjës të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve, në bashkëpunim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 186/ 2, 258 e 25 të Kodit Penal;
Armand Tafil, Muharrem Tartari, Shpëtim Liço, punonjës të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;
Entela Çano, me detyrën administratore pranë shoqërisë A& E Enginieering” sh.p.k., e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Nga kryerja e veprimeve hetimore, provat e administruara rezultuan fakte penale për personat përgjegjës të autoritetit kontraktor dhe institucionet e tjera shtetërore, ndërvepruese në disa procedura prokurimi, të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kolonjë.
1.Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e e tëtë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 24.09.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni” me objekt “Ndërtim rruga Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.
Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.
Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.
Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë).
Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, ligjin nr.10164, datë 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, VKM nr.276, datë 16.5.2018 “Për miratimin e organizimit, të strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.
2.Procedura e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)”, me fond limit 22,704,145 (njëzet e dy milion e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 14.10.2020, ka rezultuar se:
Erdit Salillari, Klarita Konomi, Niko Mihali, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, “A&E Engineering” sh.p.k.
3.Procedura e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me tvsh, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë, zhvilluar në datën 06.10.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, në përllogaritjen e fondit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. Si dhe specifikimet teknike janë përgatitur nga administratorja e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k.,shtetasja Entela Çano.
Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Lini një Përgjigje