Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që KF Bylis B të rikthehet në Kategorinë e Dytë për sezonin 2026-2027, pas rënies së ekipit të parë të klubit ballshiot në Kategorinë e Parë. Në të njëjtën kohë, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vendosi që vendi vakant në Kategorinë e Parë të përcaktohet përmes një ndeshjeje “play-off” mes KF Kukësit dhe KF Butrintit, e cila do të zhvillohet në fushë neutrale.
Vendimi vjen në zbatim të nenit 24.7 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, që ndalon pjesëmarrjen e dy ekipeve të të njëjtit klub në të njëjtën kategori. Po ashtu, neni 24.8 parashikon se, kur ekipi “A” zbret në kategorinë ku ndodhet ekipi “B”, atëherë skuadra e dytë bie automatikisht një kategori më poshtë.
Për shkak se rregullorja nuk përcakton mënyrën e plotësimit të vendit vakant në raste të tilla, çështja iu referua Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, bazuar në nenin 41 të Statutit të institucionit. Pas propozimit të Komisionit të Ligave dhe Garave dhe Komisionit Ligjor, u vendos zhvillimi i një sfide të vetme mes Kukësit dhe Butrintit për përcaktimin e skuadrës që do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, vetëm pak minuta pas publikimit të këtij vendimi, KF Butrinti reagoi me një deklaratë zyrtare, duke kundërshtuar organizimin e një ndeshjeje “play-off” ndaj Kukësit.
Klubi sarandiot argumenton se pas përfundimit të kampionatit ka pësuar pasoja të konsiderueshme sportive, organizative dhe financiare. Sipas deklaratës së klubit, një pjesë e lojtarëve janë larguar nga ekipi, ndërsa struktura sportive është çmontuar pas mbylljes së sezonit.
Butrinti shpreh rezervat e tij mbi kohën dhe mënyrën e marrjes së vendimit, duke lënë të kuptohet se organizimi i një ndeshjeje shtesë në këtë fazë krijon vështirësi për klubin.
Ndërkohë, FSHF bëri të ditur se detajet mbi datën, orarin dhe stadiumin ku do të zhvillohet përballja Kukësi-Butrinti do të publikohen në vijim nga Departamenti i Garave.
Deklarata e skuadrës së Butrintit:
Klubi i Futbollit KF Butrinti shpreh kundërshtimin e plotë ndaj vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Federata Shqiptare e Futbollit për zhvillimin e një ndeshjeje play-off mes KF Kukësi dhe KF Butrinti për përcaktimin e skuadrës që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë për sezonin 2026/27.
Ky vendim vjen në një moment kur kampionati ka përfunduar prej kohësh dhe ka sjellë pasoja serioze sportive, organizative dhe financiare për klubin tonë. Shumë lojtarë janë larguar, ekipi ka dalë jashtë ritmit garues dhe janë shtuar ndjeshëm shpenzimet e paplanifikuara për organizimin e një ndeshjeje të tillë.
KF Butrinti vlerëson se ky vendim është i padrejtë dhe në kundërshtim me parimet e barazisë sportive dhe sigurisë juridike të garës. Për këtë arsye, klubi do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe sportive për mbrojtjen e të drejtave të tij, duke nisur me apelimin e vendimit pranë organeve kompetente të FSHF-së dhe më pas, nëse do të jetë e nevojshme, çështja do të dërgohet edhe në Court of Arbitration for Sport.
Klubi ynë mbetet i vendosur në mbrojtje të dinjitetit, mundit dhe sakrificës së bërë gjatë gjithë sezonit sportiv. KF Butrinti

Lini një Përgjigje