Pavarësisht teknologjisë së përparuar, luftërat e sotme nuk po fitohen më shpejt se dikur. Dronët, sensorët dhe inteligjenca artificiale kanë rritur mbikëqyrjen dhe shkatërrimin, por jo kontrollin mbi fushën e betejës. Në vend të fitoreve të shpejta, ato po prodhojnë konflikte më të gjata dhe më të paqarta.
Zhvillimet e shpejta në teknologjinë ushtarake vitet e fundit, kanë krijuar një bindje të rrezikshme tek fuqitë e mëdha: se lufta është bërë më e lehtë për t’u fituar. Dronët, inteligjenca artificiale, sensorët e avancuar dhe armët me saktësi shumë të madhe duket se premtojnë një epokë ku goditja e armikut është më e shpejtë, më e saktë dhe më pak e kushtueshme.
Por realiteti i konflikteve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme tregon të kundërtën: lufta nuk është bërë më e thjeshtë, por më e ndërlikuar, më e gjatë dhe shpesh më e papërfundueshme.
Në frontin e Ukrainës Lindore, ushtarët përballen me një realitet që i ngjan një “zone vdekjeje” të mbikëqyrur nga dronët e të dy palëve. Lëvizja me mjete është shpesh e pamundur, duke i detyruar trupat të përparojnë në këmbë përmes pyjeve, nën rrezikun e vazhdueshëm të zbulimit dhe goditjes.
Disa misione zgjasin për javë të tëra, dhe pasojat psikologjike janë të thella. Shumë ushtarë të kthyer nga fronti vuajnë nga hipervigjilenca, duke reaguar me frikë ndaj çdo zhurme që i ngjan asaj të dronëve. Pra lufta nuk mbaron kur përfundon beteja; ajo vazhdon në mendjen e njeriut.
Në një tjetër zonë lufte, avionët amerikanë dhe izraelitë kanë kryer sulme të vazhdueshme ndaj objektivave në Iran, duke përdorur teknologji të avancuar survejimi dhe koordinimi satelitor.
Madje, në disa raste, janë përdorur edhe kamerat e trafikut në Teheran për të gjurmuar lëvizjet e udhëheqësve iranianë. Megjithëse teknologjia ofron në dukje një ndjenjë kontrolli absolut, ajo nuk ka sjellë fitore vendimtare.
Këto dy konflikte janë shumë të ndryshme në mënyrën si zhvillohen, por ndajnë një karakteristikë të përbashkët: transparencën e re të fushës së betejës. Sot, ushtritë mund të shohin më shumë se kurrë më parë, por kjo nuk do të thotë se mund të parashikojnë apo kontrollojnë rezultatin.
Informacioni është i bollshëm, por vendimmarrja mbetet e pasigurt dhe e fragmentuar. Një nga iluzionet kryesore të strategëve të sotëm ushtarakë është besimi se teknologjia e re favorizon sulmuesin. Në realitet, ajo favorizon shpesh mbrojtjen.
Ukraina dhe Rusia janë shembuj të qartë të një lufte të futur në ngërç, ku përparimet territoriale janë minimale dhe të kushtueshme. Dronët, artileria e saktë dhe sensorët e shumtë kanë krijuar një “brez të ngushtë përplasjesh”, ku çdo lëvizje monitorohet dhe goditet menjëherë.
Dronët janë bërë simboli i kësaj epoke të re. Ata janë të lirë për t’u prodhuar, të shpejtë për t’u përmirësuar dhe të vështirë për t’u neutralizuar plotësisht. Në Ukrainë, ato përdoren jo vetëm për sulme, por edhe për furnizime dhe evakuime.
Megjithatë, ato nuk kanë sjellë dominim strategjik për asnjërën palë. Përkundrazi, kanë krijuar një luftë të vazhdueshme konsumimi. Disa analistë besojnë se pikërisht kjo është e ardhmja e luftës moderne: dy palë të bllokuara në një konflikt të pafund, të mbikëqyrura nga “shtresa inteligjente” dronësh dhe sensorësh.
Ndërkohë të tjerë argumentojnë se kjo është vetëm një fazë kalimtare. Teknologjitë anti-dron, sistemet e bllokimit elektronik dhe armët e reja mund të ndryshojnë sërish ekuilibrin. Megjithatë, një gjë është e qartë: asnjë teknologji nuk garanton fitore të shpejtë.
Edhe sistemet më të përparuara të SHBA-së dhe Izraelit nuk kanë arritur të eliminojnë plotësisht aftësitë mbrojtëse të Iranit. Në fakt, Teherani ka ruajtur një pjesë të madhe të arsenalit të tij dhe ka demonstruar aftësi për të goditur në distancë.
Kjo tregon se ideja e “goditjes së përsosur” - një sulm vendimtar që përfundon luftën - mbetet më shumë një mit sesa realitet. Historikisht, strategji të tilla kanë dështuar shpesh, që nga Vietnami deri në Afganistan.
Një problem tjetër është mënyra se si teknologjia po ndikon në vendimmarrje. Sistemet moderne mund të prodhojnë mijëra objektiva në ditë, por kjo nuk garanton strategji më të mirë. Përkundrazi, rrezikon të zëvendësojë mendimin strategjik me numra të thjeshtë. Sa më shumë objektiva të identifikohen, aq më shumë lufta shndërrohet në një proces mekanik, jo politik. Njëkohësisht, ushtritë po përballen me një paradoks: ndërsa investojnë në teknologji të re, vazhdojnë të mbështeten në pajisje të vjetra si tanket dhe avionët tradicionalë.
Këto sisteme nuk janë bërë të pavlefshme, por janë bërë më të rrezikuara në një fushë beteje të tejmbushur me sensorë dhe dronë. E ardhmja e luftës duket se do të jetë hibride: një kombinim i teknologjisë së lirë dhe masive me sisteme të shtrenjta dhe të sofistikuara.
Por shumë ushtri nuk po përshtaten ende me këtë realitet. Investimet mbeten shpesh të lidhura me modele të vjetra të luftës, duke krijuar një mospërputhje mes doktrinës dhe realitetit në terren.
Një dimension tjetër shqetësues është dobësimi i kufijve ligjorë dhe etikë të luftës. Luftimet e sotme zhvillohen shpesh përmes ekraneve, duke e bërë më të lehtë distancimin moral nga dhuna.
Në rrjetet sociale dhe video propagandistike, vdekja shndërrohet në spektakël. Kjo e ndryshon mënyrën se si shoqëritë e perceptojnë luftën dhe mund të ulë ndjeshmërinë ndaj saj.
Ndërkohë, rregullat e luftës po bëhen më të paqarta. Objektivat nuk janë më vetëm ushtarake, por shpesh përfshijnë infrastrukturë civile, duke ngritur pyetje të vështira mbi proporcionalitetin dhe legjitimitetin.
Në nivel global, edhe pse disa studiues kanë argumentuar se dhuna po bie në afat të gjatë, realiteti i konflikteve aktuale e sfidon këtë optimizëm. Luftërat moderne janë më pak vdekjeprurëse për individin falë mjekësisë dhe teknologjisë së shpëtimit, por kjo nuk do të thotë se janë më pak shkatërruese.
Në sfond qëndron edhe dimensioni bërthamor. Armët bërthamore vazhdojnë të jenë faktor frenues, por mungesa e marrëveshjeve të reja për kontrollin e tyre dhe tensionet mes fuqive të mëdha rrisin pasigurinë globale. Rreziku nuk është domosdoshmërisht i menjëhershëm, por është gjithmonë i pranishëm.
Në një botë ku Kina, SHBA dhe fuqi të tjera mund të përfshihen në konflikte të drejtpërdrejta, pasiguria rritet edhe më shumë. Teknologjia mund të ofrojë avantazhe taktike, por nuk e eliminon rrezikun e gabimeve strategjike, të cilat në një konflikt të tillë mund të kenë pasoja katastrofike.
Në fund, iluzioni më i rrezikshëm i kohës sonë është besimi se teknologjia mund të kontrollojë luftën. Historia e Ukrainës, Iranit dhe konflikteve të tjera tregon se teknologjia ndryshon mënyrën si luftohet, por jo faktin që lufta mbetet e paparashikueshme, e kushtueshme dhe shpesh e pakontrollueshme./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Economist”
Lini një Përgjigje