TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Qershor 2026, 13:13

Trump poshtëroi Melonin, ministri i jashtëm italian anulon vizitën e planifikuar në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
Trump poshtëroi Melonin, ministri i jashtëm italian anulon
Donald Trump, Antonio Tajani

Ministri i Jashtëm njëkohësisht zëvendëskryeministër i Italisë, Antonio Tajani, ka njoftuar anulimin e vizitës së planifikuar në Shtetet e Bashkuara më 21 dhe 22 qershor. Vendimin ai e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sipas Tajanit, anulimi lidhet me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni. Reagimi vjen pasi Trump, pas samitit të G7, deklaroi se Meloni i ishte lutur për të bërë një fotografi me të.

Shefi i diplomacisë italiane i cilësoi komentet e presidentit amerikan si fyese jo vetëm për kryeministren, por edhe për Italinë.

“Fjalët serioze dhe ofenduese të Presidentit Trump drejtuar Kryeministres Giorgia Meloni ofendojnë të gjithë Italinë. Për këtë arsye, kam vendosur të anuloj vizitën time në Shtetet e Bashkuara të planifikuar për 21 dhe 22 qershor”, shkruan Tajani.

Në fund të samitit të G7 dhe pas mbledhjes së Këshillit Europian, rezultatet e të cilit nuk përmbushën plotësisht pritshmëritë e Uashingtonit, veçanërisht në çështjet e mbrojtjes dhe armatimeve, Trump deklaroi se Meloni ishte “ndoshta e lumtur” që ai kishte folur me të.

Presidenti amerikan përdori tone përçmuese ndaj kryeministres italiane gjatë një interviste ekskluzive për emisionin “L’Aria che Tira” në televizionin italian La7.

“Me shumë gjasa ajo është e lumtur që unë fola me të. Nuk isha i detyruar të flisja me të”, tha Trump. “Ajo m’u lut të bënim një fotografi së bashku. E donte aq shumë atë fotografi. Mund edhe të mos e kisha bërë, por më erdhi keq për të.”

Meloni reagoi menjëherë, duke i cilësuar deklaratat e presidentit amerikan si të pavërteta.

“Jam e habitur. Nuk e kuptoj pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet në këtë mënyrë me aleatët e tij. Nuk është hera e parë që ndodh. Më vjen keq vetëm që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit dhe ndaj udhëheqësve me të cilët shpesh tregohet shumë më i butë. Një gjë duhet ta ketë të qartë unë dhe Italia nuk i lutemi kurrë askujt”, deklaroi Meloni.

tajani anulon viziten ne shba

Lini një Përgjigje